22 Janar 2025

Mustafa priti përfaqësuesit e Këshillit Qendror të Veprimit Rinor të Kosovës

Prishtinë 12 gusht -  Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim përfaqësuesit e Këshillit Qendror të Veprimit Rinor të Kosovës.

Kryeministri Mustafa i ka uruar të rinjve Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, duke i përgëzuar për punën vullnetare, për aktivitetet rinore dhe për rezultatet e arritura në arsim, shkencë dhe në fusha tjera.

\"Unë kisha dëshirë që të takohem me ju, sepse është një ditë e juaja. Edhe për Kosovën është një ditë shumë e madhe sepse kemi një numër tepër të madh të të rinjve në popullatën e përgjithshme të Kosovës. Është një resurs tepër i rëndësishëm ku vendi ynë llogarit në zhvillimin e vet, në perspektivën zhvillimore, arsimore, kulturore, shkencore, në fushën e integrimeve evropiane”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa më tutje e vlerësoi lartë punën që ky Këshill po bën, duke theksuar se meriton përkrahje edhe më të madhe të Qeverisë dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Meritoni poashtu përkrahje në reforma të caktuara, sidomos në arsim, që do të krijojnë një cilësi më të madhe, në fushën e ekonomisë ku duhet të krijohen mundësi për punësim dhe për perspektivë afatgjate, por edhe në pjesëmarrjen tuaj më të madhe në proceset e integrimeve evropiane, sepse ju do të jeni urë lidhësja më e fortë që nesër do t’i shërbeni Kosovës në të gjitha këto fusha”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur përkrahjen e Qeverisë, Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Arsimit, dhe ministrive të cilat merren me zhvillimin ekonomik që të afirmojnë rolin dhe pozitën e rinisë.

Kryeministri Mustafa foli edhe për rëndësinë e proceseve integruese evropiane dhe të liberalizimit të vizave, të cilat do të mundësojnë që të rinjtë e Kosovës të studiojnë jashtë por që më pas të kthehen dhe të kontribuojnë në Kosovë. Kryeministri foli edhe për investimet që duhet të bëhen në rini në të gjitha komunat e Kosovës dhe lokalitetet e vendit si dhe që të rinjtë të mos politizohen në mënyrë ekstreme, por që t’i përkushtohen ngritjes arsimore, ngritjes profesionale dhe interesave edhe individuale edhe interesave të vendit.


“Kemi nevojë të merremi me çështje të cilat e hapin perspektivën tonë. Këto çështje konsideroj se janë çështje të arsimit, çështje të edukimit, çështje të zhvillimit ekonomik, çështje të punësimit për të cilat mund të bëjmë më shumë në qoftë se ato i ndërtojmë si lajme, i ndërtojmë si vlera me të cilat ne do të lidhemi me ardhmërinë tonë”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se ai po bënë përpjekje maksimale që të kalohet në një fazë të re në të cilën Kosova do të krenohet me vlerat pozitive të cilat i ndërton.


Kryeministri Isa Mustafa theksoi se rinia kosovare duhet të jetë e hapur, kritike, energjike në kërkesat e saj, në mënyrë që ata që e kanë marrë përgjegjësinë për të qeverisur vendin, ta qeverisin në bazë të kërkesave të qytetarëve, të rinisë, dhe në bazë të nevojave që të arrihen rezultate më të mira, rezultate të përbashkëta. “Ju uroj edhe njëherë shumë suksese. Ju uroj poashtu që të bashkëpunojmë mirë dhe t’iu shpreh përkushtimin edhe timin dhe të kabinetit qeveritar që do t’iu përkrahim për aq sa mundemi në këto momente, por natyrisht që përkrahja do të rritet me kapërcimin e disa problemeve me të cilat ne aktualisht po ballafaqohemi”, tha kryeministri Isa Mustafa.


Vesa Ibrahimi, kryetare e Këshillit Qendror të Veprimit Rinor të Kosovës, ka kërkuar përkrahjen e mëtejshme të Qeverisë për rininë, duke përfshirë edhe ndihmën e kryeministrit Mustafa te kryetarët e komunave që të ndihmojnë më shumë këshillat komunalë.

Bunjamin Hoti, nga Qendra Rinore në Komunën e Podujevës ka falënderuar kryeministrin Mustafa për përkrahjen dhe qasjen e treguar ndaj rinisë dhe brengave që i kanë të rinjtë, si në arsim, kulturë, sport etj. Hoti ka veçuar faktin se Qeveria Mustafa e ka prioritet qendror zhvillimin ekonomik të Kosovës, e cila do t’i krijojë mundësitë për të rinjtë për punësim, për zhvillim ekonomik të vendit, për integrimet evropiane të vendit .

 

Edhe Liridon Iberhysaj nënkryetar i Këshillit dhe Edis Prapashtica nga KQVR në Prishtinë kanë shprehur pikëpamjet e tyre si dhe kanë ngritur çështjet kryesore me të cilat ballafaqohet rinia kosovare aktualisht.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)