Mustafa priti përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur
Prishtinë, 20 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur, të kryesuar nga Bajram Çerkini.
Kryeministri Isa Mustafa shprehu përkushtimin e plotë të Qeverisë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe përkrahjen për familjarët.
Kryeministri Mustafa foli edhe për përpjekjet e Qeverisë së Kosovës dhe bisedat edhe me përfaqësuesit ndërkombëtarë në të gjitha nivelet, për të bërë presion te Serbia në zbardhjen e fatit të të pagjeturve gjatë luftës në Kosovë.
Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës nuk do të ndalen në asnjë moment në këtë drejtim, pasi që për familjarët, për popullin dhe për institucionet e Kosovës nuk ka çështje më të ndjeshme sesa zbardhja e fatit të pagjeturve të luftës në Kosovë, tha kryeministri Mustafa.
Përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur, të kryesuar nga Bajram Çerkini, kanë folur për vështirësitë konkrete të cilat po hasen në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, duke kërkuar përkrahjen e mëtejshme të Qeverisë.