Mustafa priti një delegacion të Degës së LDK-së në Zvicër
Prishtinë, 24 korrik - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Isa Mustafa priti një delegacion të drejtuesve dhe aktivistëve të Degës së LDK-së në Zvicër, me të cilët bisedoi për procesin e përgjithshëm të reformave të brendshme në LDK dhe zhvillimet politike nëpër të cilat po kalon vendi.
Pas këtij procesi të gjithanshëm dhe të sukseshëm, LDK-ja do të dalë edhe më e fortë dhe më e profilizuar si parti e qendrës së djathtë, e cila shpejt do të aderojë në familjen e Partive Popullore Evropiane, tha Kryetari Mustafa, e cili sërish e vlerësoi lart punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të mërgatës sonë, sidomos të asaj në shtetet e Evropës Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për jetësimin e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Diaspora jonë ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në vitet e rezistencës sonë të përgjithshme nacionale, në kuadër të lëvizjes së madhe për liri, pavarësi dhe demokraci, së cilës i priu Presidenti historik i Kosovës dhe i LDK-së, dr. Ibrahim Rugova, vijoi Kryetari Mustafa. Madje, pohoi ai, shumë bashkatdhetarë tanë e lanë familjen dhe punën në Perëndim dhe iu bashkuan luftës së armatosur për çlirim, duke rënë në altarin e lirisë së atdheut.
Po ashtu, ai tha se bashkëqyetatër tanë, të cilët jetojnë dhe punojnë në botën e jashtme, edhe sot janë një shtyllë shumë e fuqishme e vendit, sepse po vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën, ashtu siç e kanë ndihmuar edhe në ditët e saj më vështira, në vitet 90.