Mustafa: Prioritet kemi bashkëpunimin me Shqipërinë
Prishtinë, 22 mars - Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur jashtëzakonisht optimist për sa i përket takimit të së hënës në mes të dy qeverive shqiptare, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka ndarë me miqtë e tij virtualë gëzimin për, siç tha ai, që tashmë po kryhen përgatitjet për mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
Dua të ndajë me Ju gëzimin që tashmë po kryhen përgatitjet për mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Së këndejmi, jam optimist se mbledhja e së hënës në Tiranë do të jetë e suksesshme dhe do ta hapë një kapitull të ri bashkëpunimi mes dy shteteve tona, ka shkruar Mustafa nw Facebook. Për qeverinë që unë drejtoj, prioritet është bashkëpunimi me Shqipërinë, përmes një politike të bashkërenditur për interesat tona të përbashkëta, për interesat e shqiptarëve në rajon, si dhe për realizimin e bashkëpunimit edhe për çështje të karakterit rajonal dhe të procesit të integrimeve euro-atlantike.
Dy shtetet tona, kurrë deri më tash nuk e kanë pasur situatën më të përshtatshme në shtëpi, por edhe atë rajonale e ndërkombëtare, që të krijojnë politika të përbashkëta në të gjitha fushat, që na lidhin dhe i bëjnë marrëdhëniet tona dypalëshe të veçanta. I gjithë kabineti qeveritar që gjendet në Kosovë do të kalojë së bashku udhën e kombit për të arritur të organizuar dhe në të njëjtën kohë në Tiranë, ka shkruar kryeministri Mustafa.