Mustafa premton përkrahje konkrete për bizneset
Ferizaj, 3 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Financave, Abdullah Hoti dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka vizituar të martën Komunën e Ferizajt.
Fillimisht, kryeministri Mustafa u prit nga kryetari i Komunës, Muharrem Svarqa, e më pas zhvilloi një bashkëbisedim përmbajtjesor me përfaqësues të shumtë të bizneseve që operojnë në Ferizaj.
Gjatë takimit me bizneset, Mustafa vlerësoi përparimin shumë të madh që ka bërë Ferizaj sa i përket zhvillimit ekonomik në vitet e pasluftës. Kryeministri tha se janë bërë përparime edhe në zgjerimin e qytetit, vendbanimeve në drejtim të infrastrukturës.
Është një komunë e cila është në qendër të Kosovës dhe e cila mund të reflektojë shumë jo vetëm në pikëpamje të interesave të zhvillimit vetanak të Komunës, por edhe të efekteve metropolitane mund ti ketë edhe në komunat përreth. Dhe unë mendoj se atë rol mund ta luani ju, dhe mund të jepni një kontribut të veçantë në zhvillimin ekonomik. Ne me programin qeverisës jemi përcaktuar që prioritet themelor të kemi zhvillimin ekonomik, që nënkupton se duhet të rrisim normën vjetore të zhvillimit ekonomik, duhet të rrisim nivelin e punësimit edhe pastaj përmes tyre duhet të ndikojmë që ngadalë të ulet varfëria, e cila është mjaft e shprehur në Kosovë dhe të cilën ne mund ta mundim në qoftë se punojmë bashkërisht, tha kryeministri.
Kryeministri po ashtu veçoi përvojën dhe njerëzit si potencial kryesor që e ka Ferizaj dhe tërë Kosova, të cilët mund të bëjnë mrekulli dhe me të cilët mund të jemi shembull edhe për vendet e tjera në zhvillimin ekonomik dhe në shfrytëzimin e resurseve.
Disa prej bizneseve që i keni ju këtu në Ferizaj, flasin më së miri se çka mund të bëjnë njerëzit që janë të përkushtuar për punë. Ne po ballafaqohemi tani me problemin e migrimit dhe të lëshimit të Kosovës, ikjes nga Kosova nga shumë familje, nga shumë të rinj.
Sigurisht se problemi më i madh i ikjes është problemi i papunësisë, mirëpo për fat të keq në bisedë me kryetarin morëm vesh që edhe njerëzit të cilët kanë qenë të punësuar në Komunë këtu, disa prej tyre po shkojnë, edhe ata të punësuar në vende të tjera po e lëshojnë dhe po shkojnë, dhe ne duhet ti ndalim këto procese përmes dhënies së mesazheve të qarta se Kosova ka kushte dhe mund të krijoj kushte më të mira të jetesës se sa vendet që po zgjedhin njerëzit tanë, theksoi kryeministri Mustafa.
Kryeministri po ashtu ka thënë se po punojmë bashkërisht që të bëjmë reformat fiskale të cilat i përgjigjen biznesit, duke theksuar se reformat që do të bëhen nga Qeveria do të bisedohen me bizneset. Tash orientimet tona janë që ne ta bëjmë përshkallëzimin e TVSH-së, në mënyrë që TVSH-ja të jetë shkallë-shkallë, varësisht nga natyra e produkteve për të cilat zbatohet TVSH-ja.
Orientimet tona janë që ne të bëjmë përpjekje që ta shpërngulim TVSH-në nga kufiri dhe ta paguajmë brenda në mënyrë që bizneset të mos parapaguhen në TVSH.
Orientimet tona janë që ne të bashkojmë së pari si një model Administratën Tatimore me atë Doganore, në mënyrë që ata bashkërisht ti kryejnë të gjitha shërbimet dhe mos ti ndajnë Doganat nga Tatimet, por do ta shohim si do të jap rezultate. Orientimi ynë është që bizneset të cilat themelohen rishtazi ti lirojmë vitet e para nga tatimet në të ardhurat e korporatave, në mënyrë që ata të kenë një kohë të frymëmarrjes edhe që ne kontributin e tyre ta kemi kryesisht te punësimi, te njerëzit që marrin punë, te pagat që japin dhe te tatimet në paga dhe jo te tatimi në ardhura të korporatave përderisa ato të mos aftësohen dhe që të vijnë në gjendje që të përballojnë këto detyrime.
Ndërkaq, për këtë periudhë ne të gjejmë burime të tjera me të cilat do ti balancojmë shpenzimet buxhetore me të hyrat buxhetore tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa, pasi ka dëgjuar qëndrimet e biznesmenëve ferizajas, ka thënë se Qeveria e konsideron detyrë prioritare zgjidhjen e problemeve të bizneseve. Duke vlerësuar lartë punën e tyre, kryeministri ka premtuar që të hapen mundësi për sukses të mëtutjeshëm dhe për eliminimin e vështirësive me të cilat janë ballafaquar deri më tani.
Kryeministri po ashtu tha se Qeveria do të ketë kujdes edhe për problemet që u hapën nga bizneset lidhur me politikat fiskale, për problemet e energjisë elektrike, për problemet e financimit të bizneseve, politikave kreditore, mënyrës së trajtimit të burimeve të financimit për biznese, kontrollin e cilësisë, duke shprehur besimin e plotë në cilësinë dhe konkurrueshmërinë e produkteve të Kosovës.
Këto janë probleme të cilat ne duhet ti zgjidhmi bashkërisht. Unë ju falënderoj shumë të gjithëve për tërë këto vërejtje, sugjerime, propozime, gjëra që i theksuat dhe ju garantoj që do të jemi bashkë, tha kryeministri Mustafa.
Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa theksoi se Ferizaj paraqet një nga komunat që jep më së shumti kontribute tatimore për buxhetin e Kosovës duke bërë të ditur se afaristët ferizajas paguajnë rreth 110 milionë euro në vit në emër të tatimeve. Svarqa po ashtu veçoi nevojën e bashkërendimit të veprimeve ndërmjet pushtetit lokal dhe Qeverisë, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me bizneset me qëllim të ndalimit të trendit të migrimit ilegal, duke kërkuar mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për realizimin e synimeve të përbashkëta që çojnë drejt tejkalimit të situatës aktuale.