Mustafa: Populli i Kosovës i përcaktuar për vlerat demokratike
Prishtinë, 16 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim kongresistin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Turner.
Kryeministri Mustafa, shprehu përcaktimin e palëkundshëm të popullit të Kosovës për vlerat demokratike perëndimore të përfaqësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e falënderuar për përkrahjen e jashtëzakonshme të SHBA-ve, në të gjitha fazat.
Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa, e njoftoi për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime euroatlantike dhe avancim të gjithanshëm të shtetndërtimit në Kosovë.
Kryeministri Mustafa foli edhe për avancimin e sektorit të sigurisë, me theks të posaçëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës si një forcë e konsoliduar dhe e gatshme për transformim në Forca të Armatosura të Kosovës.
Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa theksoi suksesin që po arrihet edhe në luftimin e radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, duke e njoftuar për masat konkrete të Qeverisë në këtë drejtim.
Kryeministri Isa Mustafa, gjatë takimit, shprehu përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik dhe të bashkëpunimit me SHBA-të, si përkrahësi më i madh i shtetit të Kosovës dhe popullit të saj.
Kongresisti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Turner, e vlerësoi lartë progresin që është arritur në Kosovë gjatë viteve të fundit, duke e përgëzuar kryeministrin Mustafa për lidershipin e treguar nga Qeveria e Kosovës në proceset zhvillimore dhe demokratizuese në Kosovë.
Kongresisti Turner, po ashtu, shprehu përkrahjen e mëtejshme të SHBA-ve për Kosovën.
Duke folur për bashkëpunimin e mëtejshme ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës, kongresisti Turner tha se SHBA-të do të vazhdojnë të mbesin partner i fuqishëm i Republikës së Kosovës.