Mustafa përkujton Komandantin Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari
Prishtinë, 28 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e shënimit të ditëlindjes së 60-të, ka përkujtuar sot Komandantin Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, burrin e madh të kombit, Adem Jashari, si dhe daljen publike të UÇK-së.
Kryeministri Mustafa, thekson se sot, kur shqiptarët kudo që ndodhen, shënojnë 28 Nëntorin, 103 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditën e Flamurit Shqiptar, ata kanë edhe një datë të shënuar, ditëlindjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari.
Adem Jashari, me jetën dhe veprën e tij të pavdekshme, hyri në panteonin e burrave të shquar të kombit, të cilët e udhëhoqën popullin e Kosovës drejt lirisë.\"
\"Adem Jashari, së bashku me Familjen Legjendare Jashari nga Prekazi, dhanë gjithçka për Kosovën, lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e saj, tha kryeministri Isa Mustafa.
Duke përkujtuar aspiratat dhe idealet e Adem Jasharit dhe Familjes Jashari, kryeministri Isa Mustafa, shprehu zotimin e Qeverisë për të punuar me përkushtim të plotë në forcimin e shtetësisë dhe anëtarësimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, duke fuqizuar njëkohësisht miqësinë tradicionale me SHBA-të dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë.