Mustafa përkujton Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin
Prishtinë, 22 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e 17 vjetorit të rënies heroike të Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, përmes një mesazhi, ka përkujtuar jetën dhe veprën e dy heronjve të Kosovës.
Në mesazhin e kryeministrit Isa Mustafa thuhet:
Si sot 17 vjet më parë, në një nga betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas një rezistence epike, ranë për të mos vdekur kurrë heronjtë e Kosovës, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.
Me angazhimin kombëtar dhe rezistencën shumëvjeçare, të kurorëzuar me luftën heroike, Fehmi dhe Xhevë Laldrovci, janë shembull i sakrificës dhe i përkushtimit në luftën për liri.
Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, me veprën e tyre në shërbim të Kosovës dhe me rënien heroike në mbrojtje të atdheut, së bashku me shumë dëshmorë të tjerë, do të jenë burim i përhershëm frymëzimi dhe krenarie për qytetarët e Kosovës.
Kjo datë e rëndësishme historike, na përkujton vlerat dhe sakrificën mbi të cilën u krijua liria dhe pavarësia e shtetit tonë, dhe na shërben për të konfirmuar përkushtimin tonë të përbashkët në realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës për ndërtimin dhe fuqizimin e gjithanshëm të shtetësisë dhe të perspektivës për të gjithë qytetarët.