Mustafa: Për shpërndarjen e Kuvendit u pajtua edhe Thaçi
Prishtinë, 3 prill - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është i sigurt se zgjedhjet parlamentare do të mbahen gjatë muajit maj, ose më së largu në qershor të këtij viti, pas së cilave do të konfirmohet mandatar për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Kryeopozitari Mustafa paralajmëron mundësinë e shpërbërjes së Kuvendit gjatë këtij muaji, për të cilën gjë, siç thotë ai, është pajtuar edhe kreu i PDK-së, Hashim Thaçi dhe shumica e liderëve të partive tjera parlamentare në vend.
Kur kam biseduar me Thaçin për shpërbërjen e Kuvendit, ideja ka qenë që ne ta bëjmë një tekst të harmonizuar me subjektet politike, ku do të jepen arsyetimet për shpërbërje, thotë Mustafa në intervistën për Zërin.
A e përkrah Thaçi shpërbërjen e Kuvendit pas dy javësh? Nuk kemi biseduar për javët, por do të ulemi së bashku me faktorin ndërkombëtar, me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe me ata të SHBA-ve dhe do përpilojmë agjendën e çështjeve që duhet të kalojnë tani në Kuvend dhe ta bëjmë publike kohën kur do të shpërbëhet Kuvendi dhe kur do të shkohet në zgjedhje, ka shtuar Mustafa.
Pas shpërbërjes së Kuvendit, sipas tij, presidentja ka 8 ditë në dispozicion që ta shpallë datën e zgjedhjeve, të cilat do të organizohen brenda një afati 45 ditor. Megjithatë, Mustafa nuk do të pranojë që pas zgjedhjeve të hyjë në koalicion me PDK-në e Thaçit, e cila sipas tij, duhet të përgatitet për opozitë.
Sipas meje zgjedhjet mund të mbahen në fund të majit apo në mesin e qershorit. Ne nuk mendojmë që të bëjmë koalicion me PDK-në në të ardhmen. Ne mendojmë që PDK-ja duhet të kalojë në opozitë, ndërkaq do të bëjmë përpjekje që të orientohemi prej partive në opozitë, por pa përjashtuar ato në pozitë si AKR-në dhe PD-në, pra do të shohim se sa ka interes që ti afrojmë ato. Por, gjithsesi që PDK duhet të jetë në opozitë dhe gjithsesi që Thaçi mos të jetë president. Pra nuk ka asnjë marrëveshje të tillë dhe as që do të ketë, ka thënë Mustafa.
Ndërkohë, duke folur për partnerët e mundshëm të koalicionit pas-zgjedhor, Mustafa nuk e ka përjashtuar si partnere NISMËN e Fatmir Limajt, por as Vetëvendosjen.
NISMA mundet me qenë. Nuk kemi biseduar për këtë. Unë jam takuar me z. Limaj, ku kemi biseduar sa i përket bashkërenditjes, kohës së mbajtjes së zgjedhjeve.\"
\"Ai ka treguar një interesim që zgjedhjet të mbahen në qershor, por që ato të jenë cilësore dhe të mbrojmë votën për çka kemi treguar një vullnet të përbashkët.\"
\"Ne nuk kemi biseduar me asnjë nga këto subjekte për koalicion. A do të hyjmë në koalicion me partinë e Kurtit? Me Vetëvendosjen nuk i kemi programet e qarta. Ne nuk e kemi të qartë atë në pikëpamje të programit, por do të shohim, megjithatë nuk e përjashtojmë. Do të ulemi të bisedojmë e të shohim më tutje, ka nënvizuar Mustafa.
/RTK/