Mustafa: Nuk lëshojmë pe, ne jemi shumica
Prishtinë, 26 gusht - Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se ngërçi politik i krijuar duhet të zgjidhet në Kuvend, me votë të deputetëve.
Në një intervistë për Epokën e re, Mustafa ka vlerësuar se Qeveria gjithëpërfshirëse nuk e ka asnjë kuptim, as demokratik, as racional.
Ai ka thënë se koalicioni LDK-AAK-Nisma është i vendosur për ta çuar projektin deri në fund, duke përjashtuar çdo mundësi të një koalicioni me PDK-në. Jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje të reja, por nuk jemi të gatshëm të lëshojmë pe nga projekti ynë, është shprehur Mustafa, duke shtuar se vullneti i popullit nuk mund të përkufizohet me 30% të votave, por me shumicën.
Ai ka bërë me dije se e kanë përkrahjen e pakicave dhe presin prapë votat e tyre në Kuvend dhe për Qeverinë. Mustafa ka thënë se PDK-ja do ta propozojë e para kandidatin për kryeparlamentar, por nëse nuk arrin ta marrë shumicën, sipas tij, do të gjenden hapësira kushtetuese që blloku që ka shumicën ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit.
Në këtë intervistë Mustafa ka folur edhe për zgjedhjet në LDK, për të cilat ka thënë se do të mbahen këtë vjeshtë. Ai nuk e ka përjashtuar mundësin që të jetë prapë kandidat për kryetar të partisë. Mustafa ka thënë se dëshiron që të ketë sa më shumë kandidatë në garën për postin e kryetarit të LDK-së.(epokaere)