Mustafa nuk i frikësohet dëshmisë që Daka i dha EULEX-it
Prishtinë, 13 janar - Isa Mustafa nuk i frikësohet dëshmisë që Musa Daka i dha një Prokuroreje të EULEX-it në lidhje me keqpërdorimet në Fondin e 3-Përqindëshit.
Ai, përmes zëdhënësit të tij, është shprehur se akuzat e Dakës janë shpifje dhe përpjekje për të dëmtuar LDK-në. Njeriu që administroi paratë e mërgimtarëve gjatë viteve '90 ndihet plotësisht i pastër.
Isa Mustafa nuk i merr seriozisht fjalët e Musa Dakës. E aq më pak deklaratat që Daka i dha në EULEX.
Ai vazhdon të pohojë se ky i fundit ia ka inatin LDKsë, prandaj edhe po flet çka është një e zezë kundër kësaj partie. Duket se ai po e nënvlerëson aq shumë sa të shtunën nuk u mor personalisht me këtë çështje. Në vend të tij folën zyrtarë tjerë të partisë.
Sipas Fidan Jupollit, zëdhënësit të LDKsë, dëshmia që Daka ia dha misionit ndërkombëtar për sundimin e ligjit në Kosovë nuk është aspak e rëndësishme për partinë e as për kryetarin.
"Sa i përket Fondit të 3 përqindëshit, atëbotë Qeveria e Kosovës të gjitha raportet financiare të këtij fondi ia ka dorëzuar organeve kompetente", ka thënë të shtunën Jupolli për Express.
Sipas zëdhënësit të kësaj partie, secili qytetar dhe krejt institucionet e Kosovës janë të vetëdijshme për të gjitha këto raporte.
"Krejt e dinë se ku kanë shkuar dhe si janë shpenzuar paratë e fondit cent për cent", sqaron ai.
Jupolli thotë se janë vetë udhëheqësit e 3-përqindëshit ata që janë kujdesur që ky raport ti dorëzohet edhe Kuvendit e edhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
"Prandaj kryetari dhe e gjithë Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se çdo deklaratë e Musa Dakës është veç një akuzë politike kundër partisë sonë".