Mustafa: Nuk e konsideroj se marrëveshja është suspenduar
Prishtinë, 12 nëntor - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, në të cilën ndër të tjera ka miratuar amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Koncept Dokumentin për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa, njoftoi kabinetin qeveritar për pranimin e Raportit të Progresit nga shefi i zyrës së Bashkimit Evropian.
Mund të them se është një raport i rëndësishëm për ne, një raport i cili në mënyrë mjaft reale prezanton situatën në vendin tonë, prezanton në rend të parë progresin të cilin e kemi bërë në shumë fusha, sidomos progresin në nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, si një dokument tepër i rëndësishëm që ne na e hap rrugën e integrimit në BE, por edhe na mundëson që të kemi marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në, hap një perspektivë të veçantë në fushën e zhvillimit ekonomik, dhe në fushën e forcimit të shtetit ligjor. Ky raport, po ashtu vlerëson progresin të cilin e kemi bërë ne në marrjen e përgjegjësive mjaft të rëndësishme, veçmas tek vendimi i Qeverisë dhe i Kuvendit të Kosovës për themelimin e dhomave të veçanta, në progresin që ne kemi bërë në dialogun me Serbinë dhe në normalizimin e marrëdhënieve, përkundër problemeve të cilat ne i kemi me opozitën, por edhe të vendimeve të tjera të cilat kjo Qeveri i ka marrë, të cilat janë me rëndësi strategjike për të ardhmen e këtij vendi.
Natyrisht se na mbetet që të punojmë në çështje të tjera që janë adresuar në Raportin e Progresit. Janë çështje të cilat janë adresuar se jemi në fazën fillestare të marrjes me to. Por, nuk është adresuar një çështje të cilën ne e kemi lënë anash, e për të cilën nuk kemi pasur kujdes si Qeveri e Republikës së Kosovës, ose institucionet e Republikës së Kosovës, sepse raporti nuk adreson vetëm çështjet e Qeverisë, por të gjitha organet e Republikës së Kosovës. Ne, natyrisht se do të lexojmë çdo pikë dhe çdo kapitull të këtij raporti, dhe do të marrim masa në sendërtimin e tyre, në mënyrë që progresi jonë në vitin e ardhshëm të jetë më i mirë. Unë besoj shumë, sepse besoj që kohezioni i këtij koalicioni, fuqia e koalicionit, por edhe serioziteti me të cilin koalicioni qeverisës i është qasë problemeve me të cilat po ballafaqohet vendi ynë, është shumë i lartë.
Ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm, kemi pas një koherencë shumë të mirë ndaj problemeve me të cilat jemi ballafaquar gjatë kësaj periudhe dhe ju garantoj se ne do të vazhdojmë me këtë, dhe sigurisht se raporti në të ardhmen do të jetë shumë më i mirë. Ne kemi biseduar edhe me ministrin e Financave, edhe me ministrat tjerë, se duhet të trajtojmë edhe çështjen e adresimit sa i përket indikatorëve makroekonomik të zhvillimit të Kosovës, veçmas normës së rritjes ekonomike si normë vjetore, normës së punësimit dhe normës së papunësisë, sepse ka dallime të konsiderueshme ndërmjet asaj çfarë thonë institucionet ndërkombëtare, Fondi Monetar, Banka Botërore, çfarë thotë Banka Qendrore e jona dhe çfarë thotë Agjencioni i Statistikave, dhe ne këto duhet ti sintetizojmë dhe duhet ti unifikojmë, në mënyrë që të mos kemi indikatorë që interpretohen në mënyrë të ndryshme nga adresa të ndryshme, sepse pastaj krijojnë konfuzion edhe tek raportet e tilla. Por, ajo që është me rëndësi, është se është punuar edhe në fushën e ekonomisë në mënyrë shumë serioze dhe rezultatet ne do ti kemi të sintetizuara në fund të këtij viti se çfarë kemi bërë në këtë lëmi.
Dëshiroj, po ashtu, të them se edhe përkundër asaj që ne nuk arritëm të anëtarësohemi në UNESCO për tre vota, ne kemi arritur që të kemi përkrahjen e pjesës dërrmuese të anëtarëve të UNESCO-s. Kemi arritur 92 vota, që është një sukses shumë i madh i diplomacisë sonë dhe i njerëzve të cilët kanë punuar në këtë fushë. Është edhe një rivërtetim i përkrahjes që ne kemi nga bota demokratike si vend i ri, është edhe një impuls që ne të punojmë edhe më tutje, në mënyrë që pas dy viteve mos ti marrim 95 vota, apo 97, apo shumë më shumë vota për anëtarësimin tonë. Anëtarësimi jonë në UNESCO nuk e dëmton askënd, ai është në dobi të kulturës dhe trashëgimisë kulturore të të gjithëve, është në dobi të arsimit dhe bashkëpunimit arsimor me të gjitha vendet e botës dhe është në dobi të bashkëpunimit shkencor me të gjitha vendet e botës sepse as Kosova dhe asnjë vend, nuk meriton të përjashtohet nga pjesëmarrja e saj në këto procese, sepse janë procese të cilat cilësojnë zhvillimin bashkëkohor të shoqërisë.
Sa i përket adresimit të presidentes ndaj Gjykatës Kushtetuese lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe, është një çështje e cila ka qenë e paraparë edhe me marrëveshjen që e kemi nënshkruar ne në Bruksel, sepse Gjykata është dashur ta jap mendimin lidhur me këtë marrëveshje. Unë nuk e konsideroj se marrëveshja është suspenduar, ose se është vu në dyshim marrëveshja. Konsideroj se marrëveshja ka shkuar në Kushtetuese në mënyrë që të vërtetohet se çdo pikë e kësaj marrëveshje është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, është ajo që edhe ne do ta bënim si Qeveri, sepse kemi qenë të detyruar ta bëjmë dhe kjo në asnjë rast nuk e bie në pikëpyetje dialogun tonë që duhet ta zhvillojmë, ose normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por, natyrisht se ngjarjet që kanë ndodhur me UNESCO-n do të kërkojnë që ne të kërkojmë që të gjithë të jemi përgjegjës për normalizim të marrëdhënieve, sepse nuk është normalizim i marrëdhënieve nëse ne dëshirojmë të ecim në një rrugë, ndërkaq e pengojmë tjetrin të ecë në rrugën tjetër. Është zëvendëskryeministri këtu, që ka qenë kryeministër atëherë dhe ne me marrëveshjen e parë për normalizim, në pikën e fundit, jemi zotuar të dyja palët se nuk do ta pengojmë njëra-tjetrën sa i përket ecjes përpara tek anëtarësimet në organizatat e ndryshme, sepse është në dobi të të dy vendeve, ka thënë kryeministri Isa Mustafa.