Mustafa: Njohja e Kosovës nga Serbia do të jetë realitet jo i largët
Prishtinë, 13 shkurt - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social facebook ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës edhe nga Serbia do të jetë realitet jo i largët.
Ai ka theksuar se me marrëveshjen e drejtësisë e nënshkruar dy ditë më parë në Bruksel, vetëm se janë vënë disa gurë të rëndësishëm të njohjes.
Njohja e pavarësisë së Kosovës edhe nga Serbia do të jetë realitet jo i largët. Se për këtë paska reaguar keq ministri serb i drejtësisë, Selakoviq, nuk po brengosem, sepse gur gur bëhet mur. Disa gurë të rëndësishëm të njohjes i vëmë kësaj jave në Bruksel, ku mori edhe ai pjesë. Në drejtësi arritëm ti aplikojmë ligjet e Republikës së Kosovës në tërë territorin e vendit tonë, shkruan Mustafa.
Por në anën tjetër ai, shpreh habi për reagimet e djeshme të disa njerëzve që siç shkruan Mustafa, nuk u ka pëlqyer kjo marrëveshje.
Po habitem pak nga disa njerëz tanë se si nuk po u pëlqen kjo. Unë dyshoj që ata janë kundër sistemit unik të drejtësisë, por nuk jam i sigurt që ata nuk hanë letra, sepse vetë të menduarit se dikush duhet ti hajë ato, flet se ata edhe atë punë e kanë bërë, por nuk e kam ditur se njeriu bëhen shtatlartë duke ngrënë letra!? Ani, po të kishte hëngër edhe diçka tjetër, ku ta dimë se sa do të rritej, ka shkruar Mustafa.