20 Janar 2025

Mustafa: Nën qeverisjen e LDK-së mërgimtarët do të trajtohen me dinjitet

Prishtinë, 4 maj - Lideri i partisë më të madhe opozitare, LDK-së, Isa Mustafa ka shkruar se Qeveria e Kosovës është duke bërë fushatë parazgjedhore duke bërë premtime me qëllim përfitimin e votave.

Në një postim në Facebook, Mustafa ka premtuar se me ardhjen e LDK-së në pushtet, Qeveria do të merret edhe me qytetarët që jetojnë jashtë shtetit.

\"Kjo qeveri, po vazhdon t’i trajtojë si mos më keq gati gjysmën e popullsisë së Kosovës që jeton larg atdheut. Me djersën e tyre, ata e kanë mbajtur gjallë Kosovën në vitet e saj më të rënda. Kanë mbështetur luftën e saj çlirimtare. I kanë ndihmuar rindërtimit të vendit dhe me paratë që sjellin ata, jeton gjysma e popullsisë së Kosovës\", ka shkruar Mustafa.

Lexojeni të plotë qëndrimin e Isa Mustafës për mërgimtarët:

Qeveria në largim po vazhdon të dëshmojë paaftësinë dhe mungesën e interesimit për të zgjidhur problemet reale të qytetarëve. Në mënyrë të hapur, veprimet e saj krejtësisht parazgjedhore, janë të orientuara ekskluzivisht për përfitime votash.

Thesin e dhuratave, kjo qeveri e ka hapur vetëm për një pjesë të vogël të qytetarëve. Ndërsa, ka harruar krejtësisht mijëra të reja e të rinj, të cilët duhet të fillojnë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre, në atdheun e tyre.

Kjo qeveri, po vazhdon t’i trajtojë si mos më keq gati gjysmën e popullsisë së Kosovës që jeton larg atdheut. Me djersën e tyre, ata e kanë mbajtur gjallë Kosovën në vitet e saj më të rënda. Kanë mbështetur luftën e saj çlirimtare. I kanë ndihmuar rindërtimit të vendit dhe me paratë që sjellin ata, jeton gjysma e popullsisë së Kosovës.

E kjo qeveri, nuk është e zonja ta zgjidhë asnjë problem të tyre. Ata gjobiten që në kufi kur vijnë të çmallen në atdheun e tyre. Ata trajtohen në mënyrë të padinjitetshme nga zyrat e shtetit të tyre. Atyre, qeveria në largim nuk ka mundur t’ua zgjidhë as problemin e pensioneve.

Qeveria që ne do të udhëheqim pas zgjedhjeve, në një afat shumë të shkurtër, do të përmbyllë të gjitha detyrimet karshi qeverisë së Zvicrës, që kosovarëve t’ua mundësojë të përfitojnë pensionet e tyre. Atyre do t’ua mundësojë të ndjehen të dinjitetshëm dhe krenarë për punën që kanë bërë dhe për kontributin që i kanë dhënë Kosovës.

Qeverisja e LDK-së, në 100 ditët e para të saj, do t’u krijojë lehtësi ardhjeje në atdhe, duke zgjidhur problemin e sigurimit të automjeteve të tyre, do t’i trajtojë si qytetarë të barabartë dhe do t’u ofrojë shërbime të privilegjuara publike gjatë kohës sa qëndrojnë në Kosovë.

Ndërsa, gjatë tërë kohës, qeveria e drejtuar nga LDK do të angazhohet për t’u krijuar mërgimtarëve tanë kushte të kthehen në Kosovë, në mënyrë që nga përvoja dhe kapaciteti i tyre financiar, të bëhen pjesë e përpjekjeve tona të përbashkëta për ta bërë Kosovën një vend me perspektivë ekonomike, mirëqenie sociale, demokraci të mirëfilltë, shtet të denjë për të qenë pjesë e familjes së vendeve të Bashkimit Evropian.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)