Mustafa: Ne i kemi çuar përpara reformat në LDK
Prishtinë, 24 dhejtor - Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se janë duke punuar në reformimin e partisë, duke iu kundërpërgjigjur kështu deklaratës së ish-liderit të kësaj partie, Fatmir Sejdiut, i cili për Epokën e re ka thënë se LDK-ja ka mbetur e pareformuar.
Po punojmë në reforma. Sejdiu mund ta ketë mendimin e vet, mirëpo ne i kemi çuar reformat përpara. Rezultatet të cilat Lidhja Demokratike ka treguar në këto zgjedhje, që ka dalë partia e parë, flasin se reformat po e bëjnë dhe e kanë bërë punën e vet, ka thënë Mustafa të hënën. Ai, pas ceremonisë së shënimit të 24-vjetorit të themelimit të LDK-së, ka thënë se reformimi i kësaj partie ia ka sjellë fitoren në zgjedhjet e fundit.
Ish-lideri i LDK-së, Fatmir Sejdiu, një ditë më herët në intervistën për Epokën e re, duke folur edhe për të ardhmen e kësaj partie, ka thënë se LDK-ja ka mbetur e pareformuar dhe me largimin e tij nga pozita e kryetarit nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.
LDK-ja ka mbetur e pareformuar. Në projektin tim ishin punët në fazën finale, të krijohej programi politik i LDK-së me ndihmën e ekspertëve të partive popullore, për një periudhë afatgjatë, duke e bërë LDK-në parti të qendrës së djathtë në kuptimin e plotë të fjalës.
Ata ishin përfshirë plotësisht dhe ekspertët e PP-së me ekspertët e LDK-së kishin filluar punën. Pas largimit tim nuk kam dëgjuar të jetë bërë ndonjë gjë në këtë drejtim, është shprehur Sejdiu.
Ai ka thënë se LDK-ja ka probleme që duhet ti hapë brenda organeve të saj. Të fillojë një diskutim të gjerë, çfarë do të bëjë në të ardhmen. Rasti i humbjes së Prishtinës, ku LDK-ja gjithnjë ishte e fuqishme dhe pa dilemë forca kryesore që jepte kryetarin e saj, tregon se janë këputur shumë hallka thelbësore të frymës reale politike të LDK-së.
Klientelizmi dhe tendenca për të krijuar probleme aty ku nuk ka dhe për ti fshehur problemet ku ekzistojnë mund të jenë me pasoja serioze në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Unë shoh se spektri politik i Kosovës po ndryshon dhe do të ketë sfida të mëdha për partitë që u projektuan si pronare të pushteteve afatgjata. Ka ngërç dhe mbyllje që duhet kapërcyer dhe shoh gatishmëri të madhe të anëtarësisë që të bëjë këtë, ka thënë Sejdiu.