Mustafa në aktivitetet në nderim të Presidentit Ibrahim Rugova
Prishtinë, 21 janar - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 10 vjetorit të vdekjes së Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, mori pjesë në manifestimin e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës Pjetër Bogdani.
Në këtë manifestim ishin të pranishëm edhe familjarë të Presidentit Rugova, zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, dhe personalitete të shumta të jetës politike e akademike.
Në këtë manifestimin, u promovua libri studimor Kujtesa e Rugovës i përgatitur nga një grup autorësh, libri bibliografik i autorit Munish Hyseni Ibrahim Rugova-Bibliografi letrare 1961-2015. Po ashtu, u hapën edhe dy ekspozita, ajo e fotografisë dokumentare për Rugovën e autorit Fahredin Spahia, si dhe ekspozita e koleksioneve letrare-kulturore të Rugovës, koleksion i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës Pjetër Bogdani.
Më pas, kryeministri Mustafa mori pjesë edhe në hapjen e ekspozitës së përhershme në Shtëpinë e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova, në Prishtinë.
Gjatë ditës, kryeministri Isa Mustafa, ka vizituar edhe familjen e Presidentit Ibrahim Rugova.