Mustafa në Akademinë Përkujtimore për Heroin Sali Çekaj
Prishtinë, 19 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore Dita e Rënies së Heroit Sali Çekaj - Dita e Veteranëve të Brigadës 138 Agim Ramadani, në kuadër të Manifestimit Tradicional Ditët e Shqipes.
Gjatë Akademisë u fol për figurën shumëdimensionale të Heroit Sali Çekaj dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës në dekada të tëra, deri në rënien heroike.
Ky ishte aktiviteti i fundit në kuadër të Manifestimit Tradicional Ditët e Shqipes, i organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, për shënimin e 16 vjetorit të Betejës së Koshares.
Manifestimi gjithë popullor ka nisur më 9 prill me shënimin e Ditës së Heqjes me Luftë të Kufirit Kosovë-Shqipëri në Koshare. Më 11 prill në Prishtinë është mbajtur Akademia Përkujtimore Dita e Dëshmorëve të Brigadës 138 Agim Ramadani - Dita e Rënies së Heroit Agim Ramadani.
Në aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Manifestimit Tradicional Ditët e Shqipes 2015, kanë marrë pjesë qindra qytetarë të Kosovës, bashkëluftëtarë dhe familjarë të heronjve si dhe personalitete politike e akademike.