22 Janar 2025

Mustafa: MSA, fillimi i evropianizimit të gjithanshëm të Kosovës

Prishtinë, 28 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi dhe ministrin e Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, kanë mbajtur të mërkurën një konferencë për media, pas kthimit nga Strasburgu, ku u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Kryeministri Isa Mustafa, me këtë rast, ka uruar qytetarët për nënshkrimin e MSA-së ndërmjet Republikës së Kosovës dhe BE-së. “Është nder i madh për mua, që në cilësinë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, së bashku me ministrin e Integrimit, z. Çollaku, kemi nënshkruar MSA-në për Kosovën, së bashku me përfaqësuesen e Lartë të BE-së, njëherësh zëvendës presidenten e KE-së, Federica Mogherini, dhe komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, ritheksoj se nënshkrimi i MSA-së, të martën në Strasburg, është ndër ditët më të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë.

“Kjo Marrëveshje, është rezultat i punës dhe angazhimit të Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Kosovës. Por, më meritorët për këtë të arritur, janë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë dëshmuar përkushtim dhe mbështetje të pa rezervë për rrugën integruese evropiane, duke përqafuar dhe promovuar vlerat evropiane. Pra, kjo Marrëveshje është në përputhje të plotë me vullnetin dhe konsensusin gjithënacional dhe politik që e ka karakterizuar shoqërinë kosovare, sa i takon proceseve integruese euroatlantike”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi se MSA-ja, në tërësinë e saj, ka efekte pozitive shumëdimensionale, politike, juridike dhe ekonomike për Kosovën.

“Kjo Marrëveshje vendos zyrtarisht marrëdhëniet kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ajo konfirmon përkushtimin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës për t’u angazhuar, me motiv edhe më të fuqishëm, në rrugën integruese në BE, duke e hapur pa asnjë dilemë, perspektivën eurointegruese të vendit tonë.\"

\"Kjo Marrëveshje, konfirmon atë që ne e kemi thënë me dekada të tëra, se rruga integruese e Kosovës në strukturat euroatlantike nuk ka kthim dhe është alternativa e vetme për qytetarët e Kosovës.\"

\"Në aspektin institucional e praktik, kjo Marrëveshje i hapë Kosovës mundësinë e reformimit në të gjithë sektorët. MSA-ja do të ketë impakte të rëndësishme në forcimin e demokracisë dhe të gjitha komponentëve të saj, duke përfshirë shtetin e së drejtës, stabilitetin politik, raportet ndërfqinjësore e rajonale, dhe mbi të gjitha hapë perspektivë të fuqishme ekonomike”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi se MSA-ja për Kosovën, në thelb, shënon një fillim të fuqishëm të evropianizimit të gjithanshëm të Kosovës.

“Ky proces do të realizohet duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve, përkushtimin maksimal të institucioneve të Kosovës dhe me mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së”, u shpreh kryeministri Mustafa, duke shtuar se elementet më të rëndësishme të kësaj Marrëveshje kanë të bëjnë me relacionet kontraktuale, relacionet tregtare, me asistencën financiare, me bashkëpunim rajonal dhe relacionet e mira fqinjësore.

Të gjitha këto, siç bëri të ditur kryeministri Isa Mustafa, janë të përmbajtura në Marrëveshje, dhe se në ditët në vijim do të shpjegohen dhe sqarohen para qytetarëve ku edhe do të shpalosen përfitimet që Kosova do t’i ketë me këtë Marrëveshje, në rrugën e saj të pandalshme të integrimit në BE.

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, duke uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë moment të rëndësishëm, të veçant dhe historik, e ka cilësuar si të arritur evropiane për Republikën e Kosovës, duke përgëzuar kabinetin qeveritar, deputetët, të gjithë skenën politike, dhe të gjithë miqtë dhe partnerët që e kanë mbështetur Kosovën.

Zëvendëskryeministri Thaçi tha se kjo është Marrëveshja e parë e rëndësishme në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës.

“Është kontrata e parë formale në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, por është edhe hapi më i rëndësishëm, krucial, mund të themi lirisht, në raportet e Bashkimit Evropian me Kosovën. Sot, Kosova ka arritur në nivel, mund të them të barabartë, me vendet tjera të rajonit, qoftë me Shqipërinë, Bosnjën, Maqedoninë, me Malin e Zi,  apo edhe me Serbinë, sepse jemi futur në rrugë zyrtare të integrimit në Bashkim Evropian dhe ajo që është më e rëndësishme është se edhe Bashkimi Evropian e mbështet Kosovën në mënyrë unike, pra, të gjitha vendet që janë pjesë e Bashkimit Evropian”, u shpreh Thaçi. 

Nënshkrimi i Marrëveshjes së djeshme, sipas zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, është në shërbim të perspektivës së sigurt evropiane të Republikës së Kosovës dhe është mesazhi më i mirë që Kosova po futet në familjen evropiane. “Është një meritë e institucioneve të Kosovës, e të gjithë atyre njerëzve që kanë punuar. Është meritë e një stabiliteti institucional, është meritë e mesazhit tonë politik, është meritë e orientimit të gjithë qytetarëve kosovarë për t’u integruar në familjen evropiane, e në të njëjtën kohë është edhe një besim i fuqishëm i Bashkimit Evropian për Kosovën”, tha zëvendëskryeministri Thaçi, duke shtuar se Kosova do të ketë përfitime edhe politike, edhe ekonomike, edhe tregtare, edhe financiare.

Por, siç u shpreh Thaçi, me këto përfitime vijnë edhe përgjegjësitë tona për t’i implementuar kriteret e mëtutjeshëm në hapat tona të ardhshme për perspektivën evropiane.

“Pra, sot kur Kosova është në prag të anëtarësimit në UNESCO, u arrit edhe një sukses i r. Dhe ky sukses i ri është mesazhi më i mirë se ne duhet të punojmë të gjithë, edhe në nivel qendror edhe në nivele lokale, si institucione, që të lëvizim edhe më shpejt për anëtarësim edhe në INTERPOL.\"

\"Gjithashtu, të aplikojmë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por, ju e dini, objektivi ynë madhor për çka jemi duke punuar të gjithë, si Qeveri, autoritete lokale, Parlamenti, është domosdoshmëria dhe e drejta jonë, për çka i kemi implementuar të gjitha kriteret dhe standardet si Kosovë, objektivi i liberalizimit të vizave”, theksoi Thaçi.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi po ashtu u shpreh se në të njëjtën kohë, Kosova do të vazhdojë, që në kuadër të konsolidimit të shtetit, të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, të anëtarësohet edhe në organizata tjera ndërkombëtare, dhe se do të punohet maksimalisht në Kosovë, për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, theksoi se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, është një e arritur e madhe historike.

“Kjo Marrëveshje, ka një rëndësi të jashtëzakonshme sepse është nënshkruar në një moment delikat, në një moment të vështirë.  Duke ditur se Kosova ende nuk është njohur  nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, kemi arritur të nënshkruajmë Marrëveshjen e  Stabilizim Asocimit, me ç’rast Kosova është futur në marrëdhënie kontraktuale me BE-në.\"

\"Mendoj se kjo është një gjë e madhe dhe askush nuk duhet as të mendoj që ta zhvlerësojë. Ne si Qeveri, por edhe si Ministri e Integrimit Evropian, që kur kemi filluar këtë mandat, kemi vënë dy objektiva kryesore para vetes: arritjen e kësaj Marrëveshje dhe kjo ndodhi dje, dhe objektivi tjetër pritet të ndodhë shumë shpejt, dhe të jeni të sigurt, e kjo është liberalizimi i vizave”, tha ministri Bekim Çollaku.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)