Mustafa mbështet Thaçin për kritikat ndaj BE-së
Deçan, 13 maj - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka dhënë mbështetje kritikave që kryeministri i vendit Hashim Thaçi, ka bërë ditëve të fundit në lidhje me qasjen e Bashkimit Evropian për proceset integruese të vendit.
Po është e vërtetë që Bashkimi Evropian duhet të ketë parasysh fazën, në të cilën ka kaluar Kosova dhe mendoj që duhet të jetë më tolerant në aspektin e integrimit të saj në mekanizmat evropian, ka thënë Mustafa, të dielën, gjatë një tubimi të LDK-së në qytetin e Deçanit.
Mustafa ka thënë se Kosova nuk është fajtore që faza tranzitore ka ndodhur e fundit, pasi siç tha ai ne nuk e kemi shkaktuar këtë gjendje, Kosova ka pësuar në këtë gjendje, për shkak të okupimit dhe BE-ja duhet të ketë mirëkuptim për këtë fazë.
Ai kërkoi edhe përshpejtim të liberalizimit të vizave, pasi Kosova nuk ka rrugë tjetër, veç asaj të integrimit në strukturat e euro-atlantike.
Kryeministri Thaçi deklaroi se, me qasjen aktuale, Brukseli po e mban gjallë industrinë e konflikteve në Ballkan.