Mustafa: LDK ka dije për ti zgjidhur problemet që ka Kosova
Prishtinë, 10 janar - Në këtë fazë të tranzicionit, Kosova po ballafaqohet me shumë sfida dhe probleme: papunësia strukturore, ngecja në zhvillimin ekonomik, sidomos në prodhimtarinë vendore, mungesa e energjisë elektrike dhe ujit, mungesa e masave dhe instrumenteve për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, paqëndrueshmëria në konkurrencën ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, qëndrueshmëria e ulët buxhetore, varfëria e lartë, korrupsioni i lartë dhe krimi i organizuar, qeverisja e dobët korporative e kompanive publike, cilësia e ulët dhe jokonkurruese e arsimit, tha Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Isa Mustafa.
Ai gjatë një takimi të mbajtur sot në Mitrovicë, me të cilin u përmbyll diskutimi i ndryshimeve të propozuara nga Komisioni për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit të LDK-së, si dhe i Programit politik të partisë tha gjithashtu se LDK-ja konsideron se zgjidhja e këtyre problemeve është parakusht për stabilitetin e brendshëm ekonomik dhe social dhe për të qenë anëtar i barabartë dhe i respektuar i familjes evropiane. LDK-ja ka integritet dhe dije për ti zgjidhur problemet,
Shteti i Kosovës duhet të forcohet për qytetarët e tij, ti mbështesë ata në përpjekjet e tyre për të siguruar të ardhurat, të sigurojë që asnjë qytetar të mos mbetet pa qasje në arsim, shëndetësi, përkujdesje sociale dhe shërbime të tjera publike. Ofrimi i arsimit dhe shëndetësisë cilësore për të gjithë qytetarët mbetet sfidë e vazhdueshme. Politikat ekonomike të LDK-së do të krijojnë kushte për përmirësim të cilësisë së jetës të të gjithë qytetarëve. Zhdukja e varfërisë do të zërë vend qendror në politikat e qeverisjes të LDK-së. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të përfitojnë nga sistemi gjithëpërfshirës i shëndetësisë dhe politikave sociale. Ofrimi i shërbimeve publike cilësore dhe ndërtimi i institucioneve transparente mbeten çështje parimore në qeverisjen e LDK-së, theksoi më tej Mustafa.
Sipas tij, sfida kryesore për qeverisjen e ardhshme mbetet transformimi i ekonomisë së Kosovës nga një ekonomi e bazuar në import, në një ekonomi të bazuar në prodhim vendor, promovim të eksportit dhe të dijes. Në këtë drejtim, pohoi ai, sfidë mbetet fuqizimi i konkurrencës, rritja e produktivitetit të ndërmarrësve vendorë dhe involvimi aktiv në tregjet ndërkombëtare, ndërsa eliminimi i barrierave për biznes dhe ndërmarrësi private është çelësi për këtë transformim të ekonomisë së Kosovës.
Do theksuar se përveç Kryetarit Mustafa dhe drejtuesve të tjerë nga Kryesia qendrore e LDK-së dhe atyre të Komisionit për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit të LDK-së, në këtë takim shumë përmbajtësor ishin të pranishëm edhe udhëheqësit dhe anëtarët e degëve të LDK-së në Mitrovicë, Skënderaj, Çabër, Leposaviç, Zubin-Potok dhe Vushtrri, të cilët, si të gjitha degët e tjera të LDK-së, u dhanë përkrahje të plotë ndryshimeve të propozuar nga Komisioni për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit të LDK-së dhe Programit politik, në të cilin do të bazohet LDK-ja për ta qeverisur vendin në të ardhmen.
Përfundimisht, nga këto diskutime shteruese dhe shumë intensive me anëtarësinë e gjerë në tërë Kosovën, u ridëshmua përkushtimi unanim i të gjitha strukturave të partisë, në të gjitha nivelet e saj, për domosdonë e këtyre ndryshimeve, pas të cilave LDK-ja do të dalë edhe më e konsoliduar, edhe më e organizuar.
Madje, këto diskutime nxorën në pah faktin se vetë anëtarësia ka qenë ajo që i ka kërkuar më me ngulm këto ndryshime, meqë LDK-ja, si parti me traditë demokratike dhe me shtrirje të gjerë, duhet të rifunksionalizohet në të gjitha segmentet e saj, në mënyrë që ti përmbushë me sukses pritjet dhe kërkesat jo vetëm të anëtarësisë së LDK-së, por të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.