Mustafa: LDK është kundër kësaj forme të dialogut me Serbinë
Prishtinë, 6 mars - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Isa Mustafa priti në takim të ngarkuarin e Ministrisë se Punëve të Jashtme të Gjermanisë për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s, zotëri Nikolaus Graf Lambsdorff, me të cilin diskutojë për situatën politike në vend.
Kryetari Mustafa tha se LDK-ja asnjëherë nuk ka qene kundër zhvillimit të dialogut me vendet fqinjë, e as kundër dialogut me Serbinë, por forma se si është zhvilluar ky dialog ka qenë e gabuar, prandaj edhe është kundërshtuar.
Ne kemi vlerësuar se dialogu ka qenë i papërgatitur. Nuk janë përcaktuar objektivat e tij, cilat objektiva do të duhej të arriheshin. Nuk është përcaktuar agjenda, nuk janë ditur përfitimet që do ti ketë Kosova, prandaj LDK-ja e ka kundërshtuar dhe ka ngritur zërin kundër kësaj forme të dialogut, tha kryetari Mustafa, duke shtuar se dialogu Kosovë - Serbi është përcjellë nga një jo transparence e plotë.
Kryetari Mustafa tha se LDK-ja është për atë që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë të kalojnë nëpërmjet Kuvendit të Republikës se Kosovës, si dhe të bëhet ratifikimi i tyre.
Ndërsa, Lambsdorff tha se Kosova duhet të japë një shembull të mirë në Evropë dhe të tregojë se është e zonja ti trajtojë me përgjegjësi temat që kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar dhe respektimin e ligjit.
Ai tha se Gjermania përkrah Kosovën në rrugëtimin e saj për në BE dhe theksoi se shteti i tij është pro mbylljes së mbikëqyrjes se pavarësisë së Kosovës, sepse, siç tha ai, Gjermania mendon se institucionet e Kosovës janë të përgatitura për të përballuar sfidat e ndërtimit të shtetit.