04 Maj 2024

Mustafa: LDK do të punojë për një Kosovë evropiane dhe të dijes

Prishtinë, 9 janar - “LDK-ja do të punojë që t’i bindë qytetarët e vendit dhe bashkësinë ndërkombëtare se Kosova e meriton të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe e institucioneve të tjera ndërkombëtare, duke e zhvilluar Kosovën dhe duke i avancuar vlerat e demokracisë evropiane, duke siguruar respektimin e familjes, fëmijëve, grave, të moshuarëve, duke e respektuar etikën dhe të arriturat shkencore, duke i respektuar ligjet dhe rendin e konkurrencës së ekonomisë së tregut të lirë”, tha Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, gjatë një takimi të mbajtur sot në Ferizaj.

Në ketë takim drejtuesit dhe anëtarësia e degëve të LDK-së të Ferizajt, Kaçanikut, Hanit të Elezit, Shtërpcës dhe Shtimjes u dhanë përkrahje unanime propozimeve të Komisionit për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit të LDK-së, si dhe vizionit të Kryesisë për orientimet programore politike të partisë në të ardhmen.

Gjithashtu, Kryetari Mustafa tha se “LDK-ja do të punojë për një shtet të dijes, në të cilin niveli i dijes nuk do të matet me numrat e objekteve shkollore e të universiteteve që ndërtohen, por me shkallën e cilësisë që arrijnë nxënësi dhe studentët tanë në këto institucione”.

Pas fjalës së Kryetarit Mustafa, udhëheqësi i këtij komisioni, z. Agim Veliu paraqiti hollësi të Projekt-Statutit të ri të LDK-së, ndërsa drejtuesit dhe anëtarët e degëve të lartcekura dhanë propozime, sugjerime dhe vërejtje konkrete e shumë konstruktive për nene e paragrafë të veçantë të Projekt-Statutit.

Diskutime mjaft përmbajtësore pati edhe në takimin e mbajtur pasdite në Prizren, në të cilin përveç drejtuesve dhe anëtarëve të Degës së Prizrenit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e degëve të LDK-së në Suharekë, Dragazh dhe Zhur, iu dha mbështetje e plotë ndryshimeve të propozuara në Komisioni për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit të LDK-së.

Përkrahje unanime këto degë i dhanë edhe Programit politik të partisë, duke dëshmuar sërish kohezionin dhe unitetit e plotë të LDK-së, në të gjitha nivelet dhe strukturat e saj. Edhe në këtë takim, Kryetari Mustafa ritheksoi se “LDK-ja do të vazhdojë të punojë për një Kosovë evropiane, në të ciliën do të sundojnë rendi dhe ligji, ndërsa qytetarët, pa dallim kombi, gjinie e moshe do të kenë mundësi të barabarta për ta ndërtuar perspektivën e vet dhe për t’i realizuar të drejtat e tyre për lëvizje të lirë, qasje të barabartë në arsim, shëndetësi, jetë sociale dhe shërbime publike”.

Po ashtu, Kryetari Mustafa tha se LDK-ja do ta vazhdojë rrugën e Presidentit Rugova, do ta mbajë thelbin e frymës rugoviane si filozofi e veprimit politik, por njëkohësisht do të riorganizohet për ta bërë qytetarin që ta përjetojë në tërësi lirinë, pavarësinë dhe demokracinë nëpërmjet zhvillimit të demokracisë dhe zhvillimit të përgjitshëm ekonomik të vendit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)