Mustafa: Kosova, kontribuuese e zgjidhjes së krizave ndërkombëtare
Prishtinë, 20 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në punimet e Samitit të Kryetarëve të Komisioneve për Punë të Jashtme të shteteve të Evropës, që po mbahet në Prishtinë.
Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve ka folur rezultatet dhe sfidat e Kosovës në 9 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, përfshirë këtu integrimin e komuniteteve joshumicë në jetën institucionale dhe politike, si dhe hapat në rrugën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike.
Vitin e kaluar ka hyrë në fuqi Marrëveshja e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. Po ashtu në fund të vitit të kaluar, ne kemi proceduar me prioritetet kyçe të implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim me Agjendën për Reformave Evropiane, e cila përqendrohet në tri fusha shumë të rëndësishme, ajo që ka të bëjë me qeverisjen e mirë dhe me sundimin e ligjit, me konkurrueshmërinë dhe klimën investuese dhe me punësimin dhe arsimin.\"
\"Në planin e integrimeve euroatlantike, një pikë tjetër e interesimit tonë është konfirmimi që ne e kemi pranuar nga NATO-ja, lidhur me përparimin e ndërveprimit të FSK-së me NATO, përkatësisht të institucioneve të Republikës së Kosovës me NATO-n.\"
\"Jemi të përkushtuar që në këtë bashkëpunim të punojmë në transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcë të Armatosur, në përputhje me të gjitha standardet e NATO-së, duke pas parasysh që kjo do të jetë forcë shumetnike e cila do të përfaqësojë interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie, tha kryeministri Mustafa.
Duke u ndërlidhur me temën e Samitit, kryeministri Mustafa u fokusua edhe në tri çështje që lidhen me luftën që po bën Kosova kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, dukuritë me të cilat është ballafaquar në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015 që kishin të bënin me fluksin e madh të migrimeve nga Kosova në vendet e BE-së si dhe efektet e krizës së refugjatëve në Kosovë dhe për Kosovën.
Duke folur për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, kryeministri Mustafa përmendi angazhimin e institucioneve të Republikës për të zvogëluar pjesëmarrjen e qytetarëve në konfliktet e jashtme.
Kosova është cilësuar si vend, i cili në krahasim me numrin e vogël të banorëve ka pasur një fluks të konsiderueshëm të shkuarjes së njerëzve tanë në frontet e luftës në Siri dhe në Irak. Llogaritet se kemi pasur rreth 300 qytetarë që kanë frekuentuar këto vende, qoftë si luftëtarë qoftë si familjarë të tyre.\"
\"Aktualisht vlerësojmë se duhet të jenë më pakë se 50 vetë të kyçur në këto konflikte, përkatësisht rreth 80 me anëtarë e tyre të familjes. Ka një vit e gjysmë që nuk kemi raste të bashkëngjitjes së njerëzve tanë nga konfliktet e jashtme, dhe kjo është arritur falë angazhimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, organeve të sigurisë, në bashkëpunim të ngushtë me bashkësitë fetare, sidomos me Bashkësinë Islame, me komunat, organizatat joqeveritare si dhe me institucionet tjera. Kemi aprovuar Ligjin i cili ndalon bashkimin e qytetarëve tanë në konflikte të jashtme si dhe Strategjinë qeveritare kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa përmendi edhe punën që është bërë në ndaljen e fluksit të qytetarëve të Kosovës për të synuar azilin jo legal në vendet e Bashkimit Evropian.
Çështja e dytë të cilën desha ta veçoj është se në Kosovë, ashtu siç ndodhi edhe në shtete në rajon, para dy vitesh kishim një dukuri të papritur të një fluksi të konsiderueshëm të qytetarëve tanë, të cilët përmes një korridori i cili u hap në Serbi, shkoi në vendet e BE-së, në Hungari, Austri, Gjermani, Francë dhe vende tjera.\"
\"Ky fluks, siç doli më vonë, ishte i organizuar nga ndërmjetësues nga vende të ndryshme, të cilët për përfitime materiale kishin nxitur qytetarët tanë të migrojnë duke u premtuar punë dhe jetë stabile në vendet e BE-së. E gjithë kjo u bë me hapjen e korridorit nga Serbia, e cila lejonte qytetarët tanë që të kalojnë përmes territorit të saj por jo edhe të kthehen\".
\"Në bashkëpunim me Gjermaninë, Austrinë, Hungarinë si dhe me presionin që iu bë Serbisë nga BE-ja, arritëm ta ndalim këtë korridor, të parandalojmë fluksin e migrimeve dhe të kthejmë vetëm në vitin 2015 rreth 20 mijë qytetarë tanë që kishin migruar përmes këtij korridori. Në mesin e vitit 2015, ne frenuam këtë process dhe prej atëherë migrimi është simbolik dhe nuk paraqet dukuri për vendin tonë, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa ka kërkuar mbështetje më të madhe nga vendet e Bashkimit Evropian në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, të investimeve të huaja private që do të hynin në Kosovë dhe liberalizim të vizave.
Ndërsa sa i përket krizës së refugjatëve nga Lindja e Mesme, kryeministri Mustafa ka thënë se Kosova nuk është prekur, por kërkoi që Kosova dhe problemi i refugjatëve nga Kosova i vitit 1999, të merret si shembull për zgjidhjen e kësaj krize, shprehur përkushtimin e Kosovws që të jetë kontributdhënëse e komunitetit euroatlantik edhe gjatë krizës së refugjatëve.
Konsideroj se ky problem në mënyrën më efikase duhet të zgjidhet në burim. Aty ku lind. Në Siri, Irak, Afganistan, Libi. Atje duhet të krijohen kushte që të jetojnë njerëzit në paqe dhe të sigurt. Problemin e refugjatëve të Kosovës në vitin 1999 nuk do ta kishim zgjidhë duke vendosur qytetarët tanë në vende të ndryshme, por ky problem u zgjodh duke ndihmuar Kosovën të çlirohet dhe të zhvillohet si vend i pavarur.\"
\"Njerëzit tanë nuk u kthyen me dhunë, por në mënyrë vullnetare, nga vendet e BE-së, nga Turqia, SHBA, Izraeli. Ata u kthyen vullnetarisht duke mbetur një numër shumë i vogël dhe simbolik jashtë vendit mbi bazën e refugjatëve. Shembulli ynë nuk duhet të mbetet rast I veçantë por duhet të zbatohet edhe në vendet e tjera, ku po kryhen krime të tmerrshme ndaj popullatës civile, grave dhe fëmijëve, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se Kosova dhe vendet e Ballkanit duhet të shihen si pjesë e zgjidhjes së kësaj krize së bashku me vendet e BE-së.