22 Janar 2025

Mustafa: Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave

Prishtinë, 6 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të premten në takim komisionerin e BE-së për Politikat Fqinjësore Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

Pas takimit, ku ishin të pranishëm edhe disa prej ministrave të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Mustafa dhe komisioneri Hahn, mbajtën një konferencë për media ku theksuan rëndësinë e nënshkrimit të MSA-së ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe hapat e mëtejmë integrues të Kosovës, duke përfshirë liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa, e falënderoi komisionerin Hahn për kontributin e tij dhe të Bashkimit Evropian për arritjen e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe po ashtu, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të Kosovës që në mënyrë konsekuente ta zbatojë këtë marrëveshje, “e cila do të jetë në të mirë të forcimit të shteti ligjor, të paqes, të demokracisë dhe të zhvillimit ekonomik të Kosovës”.

Kryeministri Mustafa e njoftoi po ashtu, rreth anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duke kërkuar përkrahjen e vendeve të BE-së dhe duke iu referuar edhe zotimeve të Kosovës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe trashëgimisë fetare, si dhe nevojën për zhvillimin e arsimit dhe shkencës.

“E sigurova që ne do të zbatojmë të gjitha rekomandimet e Bashkimit Evropian sa i përket trashëgimisë kulturore dhe sa i përket ligjit mbi trashëgiminë kulturore, të cilin e kemi në përgatitje e sipër. Po ashtu, e sigurova komisionerin Hahn se ne do ta vazhdojmë me procesin e dialogut, se ne dialogun e shohim të dobishëm për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe se po ashtu mbesim konsekuent në zbatimin e marrëveshjeve të cilat ne i kemi arritur, duke kaluar në të gjitha procedurat që i kemi paraparë me këto marrëveshje dhe po ashtu duke pritur edhe epilogun e Gjykatës Kushtetuese që ka të bëjë me marrëveshjen për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha kryeministri.

Sa i përket zhvillimit ekonomik, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se Kosova ka të arritura të rëndësishme në procesin e zhvillimit, ka një normë të rritjes së bruto prodhimit vendor e cila është mjaft e rëndësishme dhe se pritet që kjo normë në vitin e ardhshëm të arrij 4 për qind.

“Kemi trefishim të investimeve të jashtme direkte dhe po ashtu jemi në përgatitje të ligjeve të rëndësishme të cilat do të mundësojnë që ne të bëjmë reforma të caktuara dhe të arrijmë atë që Bashkimi Evropian kërkon prej nesh, në pikëpamje të reformave ekonomike”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi se një çështje e veçantë që u hap me Komisionerin Hahn është çështja e liberalizimit të vizave.

“Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret që janë kërkuar prej nesh sa i përket liberalizimit të vizave. Kemi pasur një bashkëpunim tepër intensiv me të gjitha organet kohëve të fundit, me Prokurorinë e Shtetit, me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Integrimeve Evropiane, dhe të gjitha ato rekomandime të fundit që kanë qenë lidhur me implementimin e kritereve do t’i arrijmë dhe do t’i përmbushim. Prandaj, ne presim me besim shumë të madh që Komisioni Evropian, përkatësisht Bashkimi Evropian, të vendos për rekomandimin për liberalizim të vizave për Kosovën. Konsiderojmë që edhe kjo do të na ndihmonte shumë në proceset tona integruese, demokratizimin e marrëdhënieve në vend por, po ashtu, edhe në projektet e zhvillimit ekonomik dhe në realizimin e asaj që ne e kemi paraparë edhe në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si projekte të bashkëpunimit tregtar dhe të bashkëpunimit ekonomik me vendet e Bashkimit Evropian”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke falënderuar komisionerin Hahn dhe e ekipin e tij për vizitën dhe duke e siguruar që Kosova do të punojë shumë në këto procese.

Komisioneri i BE-së për Politikat Fqinjësore Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, theksoi se progresi në rrugën drejt BE-së është i rëndësisë kritike për Kosovën, për rajonin, por edhe për vetë Bashkimin Evropian.

“Kryeministri Mustafa dhe unë, bashkë me ekipet tona, patëm një diskutim frytdhënës dhe duhet ta them si çdo herë, sepse tashmë kemi një marrëdhënie shumë të afërt pune. E urova kryeministrin për nënshkrimin së voni të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, kështu që shpresoj që Parlamenti Evropian ta jap pëlqimin së shpejti, ashtu që shtetet tona anëtare, të mund të vendosin dhe të mund të hyjë në fuqi shumë shpejtë”, tha komisioneri Hahn.

Ai po ashtu e ka falënderuar kryeministrin Mustafa për qëndrimin e tij konstruktiv dhe guximin politik sa i përket dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja, duke thënë se ai ka demonstruar që mund të merren vendime të rënda, edhe pse nuk është e lehtë, por që në interes evropian kanë qenë të domosdoshme.

“Nën MSA-në, vazhdimi i dialogut është obligim ligjor për Kosovën dhe është një fokus  i mëtutjeshëm drejt Bashkimit Evropian. Jam i bindur se kryeministri Mustafa dhe Qeveria e tij kanë vullnetin politik, dhe kurajën politike që të vazhdojnë më tutje dhe e çmoj këtë gjë. I kemi shqyrtuar marrëdhëniet ndërmjet  Kosovës dhe BE-së për vitin e ardhshëm, edhe në dritën e Raportit për Kosovën, që do të del javën e ardhshme, që është pjesë e Pakos së Zgjerimit 2015. Raporti do të jetë i balancuar, dhe i bazuar në fakte. Do të theksojë përparimin e arritur, por do t’i nënvizojë edhe sfidat që ende mbesin për t’u trajtuar”, tha Hahn.

Komisioneri i BE-së për Politikat Fqinjësore Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, po ashtu, bëri të ditur se është diskutuar edhe për fokusin e Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm që  ky është prioriteti më i lartë politik i Kosovës, dhe normalisht që pritjet janë të larta. Kemi vlerësuar Kosovën në këtë drejtim, dhe gjetjet, apo konkludimet fillestare tregojnë që me të vërtetë është arritur një progres i dukshëm. Liberalizimi i vizave është proces që udhëhiqet nga proceset reformuese. Besoj se vlerësimi ynë që do të bëhet deri në fund të këtij viti, do të mund të rekomandoj që Kosova i ka plotësuar të gjitha këto kriteret. Dhe unë jam shumë i sigurt se do të ndodh kështu. Një prej mesazheve të mia sot është që përpjekjet duhen intensifikuar edhe më shumë për të arritur standardet apo pikat e caktuara”, tha komisioneri Hahn.

Gjendja aktuale politike në Kosovë, siç bëri të ditur komisioneri Hahn, ishte edhe një çështje tjetër e diskutimeve, duke theksuar se pengesat dhe dhuna nuk kanë vend në një shoqëri demokratike, në një vend që ka aspirata evropiane, dhe se institucionet e Kosovës duhen respektuar dhe duhet lejuar të funksionojnë në kushte të rregullta dhe produktive.

Komisioneri Hahn u shpreh se progresi i Kosovës drejt Evropës, tani duhet të fokusohet tek zbatimi i MSA-së dhe se kjo Marrëveshje ka një potencial të madh, por se rezultatet e saj varen nga shpejtësia dhe cilësia e zbatimit.

“Bashkimi Evropian do të vazhdoj të ketë një rol të fuqishëm në përkrahjen e reformave të Kosovës, përmes vetë Marrëveshjes, por edhe përmes shfrytëzimit të Fondeve të Para Asociimit, apo IPA, dhe po flasim për një shumë prej 650 milionë eurosh deri në vitin 2020. Do të vazhdojmë të përkrahim prioritetet e politikave të MSA-së, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, qeverisjes, administratës publike, por edhe zhvillimit ekonomik dhe konkurrueshmërisë. Megjithatë, duhet të mos harrojmë që MSA-ja i jep një përkrahje dhe momentum të madh zhvillimit ekonomik. Tashmë, siç edhe mësova për shkallën e rritjes, që është mbi 3 për qind, e që do të mund të arrinte edhe  3.5 për qind. Ndërkaq, pritja për vitin e ardhshëm është mbi 4 për qind, dhe kjo është e shkëlqyeshme sepse është mbi mesataren evropiane. Kjo do të duhej të krijonte vende të punës në vend dhe perspektivë për të rinjtë e këtij vendi, për të ndalur këtë ‘humbje të trurit’. Pra, MSA-ja mund të jetë një gurthemel i të gjitha këtyre përpjekjeve. Ajo që duam është që Kosova të shfrytëzoj të gjitha potencialet e kësaj Marrëveshjeje, dhe Bashkimi Evropian vazhdon të jetë plotësisht i përkushtuar për realizimin e perspektivës evropiane për Kosovën”, tha komisioneri Hahn, duke vlerësuar bashkëpunimin e mëtejmë me kryeministrin Mustafa dhe kabinetin qeveritar.

Ai, po ashtu, bëri të ditur se kryeministri Mustafa do të shkoj në Bruksel së shpejti,  ku do të takohet me presidentin Jean-Claude Juncker, duke thënë se edhe ky takim është shprehje e marrëdhënieve të përmirësuara dhe të rritura ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Do të kem mundësinë që t’i adresohem anëtarëve të Kuvendit të Kosovës, dhe jam shumë i lumtur që kam një rast të tillë. Shpresoj që Kuvendi të jetë jo në dispozicion jo vetëm kur ka mysafirë të huaj, por të kenë vullnetin dhe gatishmërinë që të punojnë për interesat e qytetarëve të Kosovës dhe të marrin përsipër këtë propozim për perspektivë evropiane të Kosovës”, theksoi komisioneri Johannes Hahn.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)