Mustafa: Kosova është bërë një faktor i zhvillimit dhe stabilitetit
Prishtinë, 2 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, hapi konferencën e tretë ndërkombëtare Germia Hill, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, së bashku me institutin me renome botërore, Aspen Institute, që zhvillon punimet nga data 2 deri më 3 shkurt 2016.
Duke iu dëshiruar mirëseardhje në Kosovë të pranishmëve të shumtë në këtë konferencë tradicionale të diplomacisë kosovare, kryeministri Mustafa tha se Germia Hill ka për qëllim që të jap kontribut thelbësor për temat që preokupojnë dhe angazhojnë diplomacinë dhe kancelaritë evropiane.
Duke u ndërlidhur me faktin se sivjet më shumë se kurrë fokusi i opinionit ndërkombëtar kanë qenë çështjet e sigurisë, kryeministri Isa Mustafa tha se Kosova është një vend stabil, është vend i paqes, vend i komunikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë mes komuniteteve tona, por edhe me fqinjët e saj.
Kosova kurrë nuk ka qenë më shumë e ndërlidhur me familjen evropiane sesa që është tani. Ne kemi nënshkruar marrëveshjen tonë të parë kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe me këtë Kosova është bërë një faktor i zhvillimit, faktor stabiliteti, faktor i dialogut me fqinjët, kontribuues i sigurisë dhe paqes në Ballkanin Perëndimor, tha kryeministri Isa Mustafa.