Mustafa: Kosova e përkushtuar për rrugën euroatlantike
Prishtinë, 11 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim përfaqësuesit e shteteve të Kuintit në Kosovë dhe shefin e Zyrës së BE-së /përfaqësues special i BE-së në Kosovë.
Kryeministri Mustafa i falënderoi për përkrahjen e madhe që shtetet e tyre dhe institucionet e Bashkimit Evropian kanë dhënë për Kosovën, deri më tani.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, i njoftoi për progresin në Kosovë dhe për prioritetet e Qeverisë për zhvillim ekonomik dhe avancimin e proceseve eurointegruese.
Më tej, kryeministri Mustafa foli për rëndësinë e madhe që ka për Kosovën rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave dhe proceset e tjera pozitive siç ishte edhe pranimi i Kosovës në UEFA dhe hyrja në fuqi e MSA-së, muajin e kaluar.
Ishte qëndrim i përbashkët se për Kosovën është hapur një perspektivë shumë e fuqishme e zhvillimit dhe se Qeveria e Kosovës do të rris edhe më tej përkushtimin për zhvillim ekonomik, për avancimin e proceseve integruese evropiane, për fuqizimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Me këtë rast, kryeministri Mustafa ka kërkuar përkrahjen e mëtejme të vendeve të Kuintit dhe të institucioneve të BE-së për Kosovën.
Ambasadorët e vendeve të Kuintit dhe përfaqësuesi special i BE-së vlerësuan të arriturat si dhe shprehën përkrahje të mëtejme për Kosovën.