Mustafa: Kosova e përkushtuar për bashkëpunim me Shqipërinë
Gjatë takimit, u bisedua për zhvillimet e përgjithshme në dy vendet si dhe për bashkëpunimin dhe relacionet shumë të mira, në të gjitha nivelet, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Kryeministri Mustafa e njoftoi kryetarin Basha për progresin e gjithanshëm në Kosovë, me theks të posaçëm në zhvillimin ekonomik, avancimin e proceseve integruese evropiane si dhe fuqizimin e shtetit ligjor.
Kryeministri Mustafa e falënderoi Republikën e Shqipërisë dhe të gjithë faktorët institucional, politik dhe shoqëror të saj për përkrahjen dhe bashkëpunimin, duke shprehur njëkohësisht përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet dy vendeve.
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, vlerësoi lartë progresin e arritur në Kosovë, duke shprehur konsideratat e tij maksimale për lidershipin dhe konsistencën e Qeverisë së Kosovës në avancimin e proceseve zhvillimore.
Kryetari Basha, po ashtu, shprehu përkrahjen dhe përkushtimin për proceset e mëtejshme në Kosovë si dhe për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.