Mustafa: Koalicion me të gjitha partitë, përpos PDK-së
Prishtinë, 18 mars - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur optimizëm se do të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës.
Ai ka thënë se Qeveria që do të udhëheqë nuk do të jetë megalomane, por me duar të pastra.
Në këtë intervistë për Epokën e re, Mustafa ka thënë se është i gatshëm të bëjë koalicion me të gjitha partitë e tjera politike, përpos me PDK-në, e cila, sipas tij, duhet të shkojë në opozitë.
Mustafa ka thënë se në asnjë rrethanë nuk mund të vijë në shprehje formula qeverisëse e vitit 2004. Në këtë kontekst, Mustafa ka thënë se për LDK-në posti i kryeministrit është i panegociueshëm. Lideri i LDK-së ka deklaruar se ka pajtueshmëri pothuajse nga të gjithë liderët partiakë që zgjedhjet parlamentare të mbahen në qershor.
Ai ka thënë se në listën zgjedhore të LDK-së për deputetë nuk do të ketë kandidatë të cilët kanë pasur dhe kanë probleme me ligjin. E njëjta gjë, sipas tij, do të vlejë edhe për kabinetin qeveritar.
Ai ka treguar se LDK-ja është e hapur për bashkëpunim me Listën Rugova, megjithatë ka thënë se nuk e ka të qartë se çfarë përfaqëson kjo listë.
Gjithmonë kemi thënë se LDK-ja është e hapur, por tani shtrohet pyetja se çfarë përfaqëson në këtë moment Lista Rugova, sepse nuk e kemi të qartë potencialin votues të kësaj liste. LDK-ja është e hapur jo vetëm të bashkëpunojë me Listën Rugova, por të gjithë ata që kërkojnë të kthehen në LDK dyert i kanë të hapura, ka thënë Mustafa, duke shprehur keqardhje të madhe për arrestimin e Ukë Rugovës.
Lideri i LDK-së ka folur edhe për idenë e krijimit të një tribunali për krimet e pretenduara të luftës në Kosovë.
Ai ka thënë se nuk ka asnjë arsye të krijohet ky tribunal. Lufta jonë ka qenë specifike. Nuk kemi bërë agresion ndaj askujt. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e pastër, e ka mbrojtur pragun e shtëpisë.\"
\"Nuk kemi nevojë që UÇK-në ta qesim në tribunal, apo ta formojmë një tribunal të veçantë për njerëzit që kanë marrë pjesë në luftën e UÇK-së, ka deklaruar Mustafa.