Mustafa: Kemi detyrim ta votojmë Thaçin për president
Prishtinë, 24 dhjetor - Qeverisë i është ndërruar shefi, por zyra e kryeministrit është ajo e njëjta. Është ai inventar i njëjtë i lënë në pozita të njëjta sikurse ishin vendosur në mandatin e shkuar, e madje është edhe e njëjta pikturë e varur në murin ballor të zyrës shefit të ekzekutivit.
Pavarësisht ndërrimit, ka shumë njerëz në publik që thonë se kryeministri faktik nuk do të jetë Isa Mustafa, i zgjedhur këtë muaj në këtë funksion. Thonë se i vërteti do të jetë ish-kryeministri Hashim Thaçi, lideri i partisë më të madhe në vend që në këtë mandat është zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm.
Në një intervistë të gjatë për Kohën Ditore, Mustafa zotohet se do ta dëshmojë të kundërtën. Thotë të mos i bëjë shumë përshtypje debati për kryeministrin e vërtetë dhe deklaron se nuk ka dualitet në qeverinë e tij.
Ai tregon arsyet e bashkimit me Thaçin, rivalit më të madh politik, dhe fajëson Kushtetuesen e Presidenten për krijimin e një rrethane që ia pamundësoi Bllokut ta bënte Qeverinë.
Në pjesën e parë të intervistës, Mustafa flet për ofertën që kishte prej kohësh nga PDK-ja për tu bërë kryeministër, për procesin e arritjes së marrëveshjes së koalicionit dhe përzgjedhjen e ministrave, si dhe për deputetët e LDK-së që nuk e votuan.
Ai i quan ëndrra deklarimet e Fatmir Sejdiut se LDK-ja e PDK-ja, që në muajin shkurt kishin lidhur marrëveshje për të bashkëqeverisur.
Mustafa e shpall të dështuar reformën Kushtetuese dhe thotë se presidenti do të zgjidhet nga Kuvendi. Nuk garanton, por vetëm beson se deputetët e rebeluar të LDK-së së paku do ta bëjnë kuorumin kur Thaçi të propozohet për president.
/Koha Ditore/