20 Janar 2025

Mustafa: Integrimet evropiane alternativa e vetme perspektive për Kosovën

Prishtinë, 19 janar- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim zëvendëskryeministrin, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane i Republikës së Sllovakisë, Miroslav Lajçak.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e njoftoi për të arriturat në Kosovë në të gjitha fushat, si dhe për fokusimin e Qeverisë së Kosovës në proceset integruese evropiane, për zhvillim ekonomik dhe për fuqizimin e institucioneve demokratike.

Kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në proceset evropiane, duke theksuar edhe nevojën e liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët kanë mbetur të vetmit qytetarë të rajonit që nuk e ka gëzojnë këtë të drejtë elementare.

“Ne tashmë kemi përmbushur kriteret dhe rekomandimet dhe presim që Bashkimi Evropian të marr vendim për rekomandimin e datës për liberalizimin e vizave, që do të hapte perspektivë për qytetarët e Kosovës, do të mundësonte lëvizjen e lirë të tyre si dhe do të mundësonte dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se integrimet evropiane janë alternativa e vetme perspektive për Kosovën.

Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Sllovakinë, duke vlerësuar përkrahjen e Sllovakisë në proceset integruese të Kosovës.

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane i Republikës së Sllovakisë, Miroslav Lajçak, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë dhe përkushtimin për avancimin e proceseve evropiane dhe zhvillimin e mëtejshëm.

Zëvendëskryeministri Lajçak, po ashtu, shprehu përkrahjen e Sllovakisë për proceset integruese, duke përfshirë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)