15 Janar 2025

Mustafa: Institucionet e shtetit duhet të ndërtohen, por jo me matrapazë

Prishtinë, 22 korrik - \"Matrapazët e kontraktuar po donë me ia shitë opinionit Qeverinë e PAN-it, në paketimin e AAK-së dhe të miqve të Ibrahim Rugovës\", ka shkruar Isa Mustafa në një postim në Facebook. Kjo deklaratë e Mustafës vjen pas takimit që dje Ramush Haradinaj ka zhvilluar me deputeten Teuta Rugova në rezidencën e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Mustafa shprehet se do të jetë i mjerë ai shtet, ajo qeveri, ajo parti dhe ajo derë që lejon që dy matrapazë t’ia bëjnë politikat, të kontrabandojnë votat dhe të flasin për rugovizmin dhe rugovistët...

\"Nëse të tillëve u ka mbetur aq shumë për Rugovën dhe rugovizmin e për LDK-në, pse nuk angazhohen që LDK-ja ta themelojë qeverinë. Ose së paku, pasi qenkan aq të brengosur se vendi duhet të bëjë institucionet, le ta bëjnë Qeverinë ata që nuk e patën asnjë vështirësi të bëhen bashkë për t\'i shpallur mosbesim qeverisë së drejtuar nga LDK-ja\", ka shkruar më tej Mustafa.

\"Nuk e thotë logjika se ata na shpallën mosbesim për të na dhënë tani besim. Se para dy muajve, sipas tyre, ishim më e keqja e këtij vendi e tani u bëmë më të kërkuarit e këtij vendi!?. Boll u manipulua opinioni! Nuk ka nevojë të manipulohet edhe më tutje. Boll u dëmtua LDK-ja nga fushata të ndyta. Duhet të respektohen qytetarët dhe LDK-ja, nga ju dhe megafonët tuaj!\"

Mustafa shkruan se matrapazët i shkelin të gjitha vlerat morale dhe etike, por ata LDK-ja i qet si trup të huaj. Prandaj, është e qartë, ata që janë me matrapazët nuk janë me LDK-në.

\"Manipulues dhe kalkulantë të llojit të vet i konsideroj edhe ata individë të LDK-së që kërcënojnë se do të dalin në rrugë nëse mandati nuk i jepet një partie tjetër, e të cilët kurrë nuk e bënë ndonjë deklaratë të tillë për rastin nëse nuk do t\'i jepej mandati LDK-së, ose kur njerëzit e LDK-së sulmoheshin dhe atakoheshin në mënyrën më shtazarake. Dhe nuk duan ta shohin se asnjë subjekt në këto zgjedhje nuk është fitues. Se këto zgjedhje, të kurdisura nga Kryetari i Kuvendit dhe i PDK-së (në zanatin e tij), e ndan dhe e përçanë si është më keq skenën tonë politike\", shkruan Mustafa.

\"Njerëzit e LDK-së angazhohen dhe luftojnë për vlerat evropiane të LDK-së, për synimet dhe programin e kësaj partie, që është program i qendrës së djathtë. Njerëz që e kapërcejnë vetveten për të arritur këto objektiva. Që luftojnë për shtet të së drejtës dhe me zhvillim ekonomik, kundër zhvatësve, korrupsionit, dhunës dhe varësisë nga Serbia dhe njerëzit e inkriminuar\".

\"Anëtarësia jonë, votuesit e koalicionit tonë, organet e LDK-së janë shprehur qartë: Jo koalicion me PDK-në dhe me ata që janë me PDK-në. Jo koalicion me ata që shkelin kontratat dhe rrezikojnë interesat e shtetit për ambicie dhe interesa të tyre personale e grupore. Jo me ata që nuk durojnë sukseset në zhvillim ekonomik, punësim, në luftë kundër krimit dhe korrupsionit dhe kapjes së shtetit\", shprehet Mustafa.

Mustafa shkruan se si kryetar i Koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi deri më sot nuk ka pasur asnjë kërkesë nga ndërkombëtarët për të bërë koalicion qeverisës, qoftë me PAN apo VV. \"Por edhe nëse do të kem, do ta refuzoj me arsye të plotë çdo kërkesë për të bërë marrëveshje qeverisëse me koalicionin që drejtohet nga PDK-ja. Këtë ua kam bërë të njohur përfaqësuesve të BE-së dhe të SHBA-së me kohë, para se të votohet mocioni i mosbesimit\", shkruan Mustafa.

Sipas tij, deputetët e LDK-së dhe partnerët tanë të koalicionit nga AKR dhe Alternativa janë shprehur qartë se do të jenë së bashku në këto qëndrime.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)