Mustafa: I bindur që do të votohet Gjykata Speciale
Ai ripërsëriti qëndrimin se Gjykata Speciale është detyrim ndërkombëtar që derivon nga letërkëmbimi i presidentes Jahjaga me baroneshën Catherine Ashton.
Shefi i ekzekutivit kosovar i bëri këto komente pas një aktiviteti qeveritar me të rinjtë e diasporës, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve.
Kuvendi i Kosovës do të votojë për të dytën herë për gjykatën speciale të hënën, pasi me 26 qershor ky institucion i tha jo krijimit të saj.
Këtë dështim e duartrokiti opozita, por jo qeveria, e cila u detyrua ti riprocedojë amandamentet kushtetuese. Por, edhe pas këtij veprimi, vota e deputetëve të pozitës, kryesisht të PDK-së që votuan kundër herën e parë, mbetet enigmë.
Mësohet se kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, do ti mbledhë të hënën deputetët para se të fillojë seanca në orën 10:00.