Mustafa: Fitorja e LDK-së është fitore e orientimit perëndimor
Prishtinë, 3 qershor - Kandidati për kryeminisër dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, u tha të martën qytetarëve të Ferizajt se vota për LDK-në më 8 qershor është fitore e orientimit perëndimor të Kosovës, vlerave të demokracisë përfaqësuese, perspektivës zhvillimore të shtetit, përcaktimit për shtetin ligjor që e fiton betejën kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe që vendin tonë e integron në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe që forcon miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kështu siç jemi sot së bashku, më 8 qershor do të shënojmë fitore në Ferizaj dhe në tërë Kosovën. Kjo do të jetë fitore e madhe e LDK-së dhe Kosovës. Kjo është fitore e rëndësishme për çdo qytetar, për demokracinë tonë, për demokracinë në këtë pjesë të Ballkanit dhe të Evropës. Forcimi demokratik i Kosovës është kontribut në suksesin e demokracisë evropiane, ka thënë Mustafa.
Kandidati për kryeministër të Kosovës, Isa Mustafa, u shpreh i bindur se qytetarët e Ferizajt dhe krejt Kosovës, me votën e tyre të lirë më 8 qershor, do ta ndalin degradimin në të cilin vendin e ka futur qeverisja e keqe, do ta ndalin orientimin aziatik dhe do ta kthejnë Kosovën kah orientimi perëndimor, pjesë e të cilit Kosova dhe qytetarët e saj janë natyralisht.
Do të bëjmë prerje nga sjellja aziatike, nga ata që mendojnë se po mbretërojnë me Kosovën dhe që e kanë pronë të tyre. Qytetarët e kosovës, më 8 qershor nuk kanë arsye të japin votën për mashtrimet. Atyre që kanë abuzuar me takstat e tyre. Atyre që kanë përgjysmuar zhvillimin ekonomik, kanë rritur e thelluar krimin e korrupsionin, që kanë rritur vetëm oligarkinë e tyre, ka thënë Mustafa.
Për të mundësuar këtë kthesë të madhe të Kosovës, kryetari i LDK-së dhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Isa Mustafa, ka theksuar se Kosova më 8 qershor duhet të zhvilojë zgjedhje të mira, të qeta dhe demokratike.
Duhet të angazhohemi të gjithë të garantojmë zgjedhje të mira. Për ne është me rëndësi të madhe ta kthejmë legjitimitetin në institucionet e Kosovës. Ta bëjmë Kuvend që përfaqëson votën reale të qytetarëve dhe të shprehet në demokracinë e vendit tonë. Ne nuk dëshirojmë përsëritjen e zgjedhjeve të vitit 2010. Nuk dëshirojmë dhe nuk do të lejojmë qeverisjen pa legjitimitet. I ftoj qytetarët dhe subjektet politike ta ruajnë votën, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, LDK-ja është përgatitur mirë, ka punuar shumë, ka programin më të mirë, kandidatët më të mirë dhe do të shënojë fitore të madhe, e cila do të jetë fitore e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Qeveria e LDK-së, të cilën do ta drejtoj me vullnetin e qytetarëve, do ta qeverisë vendin në mënyrën më të përgjegjshme dhe më të drejtë të mundshme. LDK-ja do të qeverisë mirë, do ta zhvillojë Kosovën dhe qeverisja e LDK-së do ta anëtarësojë Kosovën në Bashkimin Evropian.
Ne do të punojmë shumë që të thellojmë bashkëpunimin me BE-në, miqësinë e përhershme me SHBA-të, ndërsa do të ndërtojmë bashkëpunim të hapur me Shqipërinë dhe trevat shqiptare, në mënyrë që së pari të integrohemi në nivel nacional e pastaj të integrohemi në familjen e vendeve evropiane, ka thënë Mustafa.
Kandidati për kryeministër, Isa Mustafa, ka theksuar se nga fitorja e LDK-së nuk ka nevojë të frikësohet askush, sepse qeverisja e saj do të jetë qeverisje e barabartë për të gjithë qytetarët. Ai ka theksuar se do të udhëheqë procesin e bisedimeve për normalizimin e raporteve me fqinjët, përfshirë edhe Serbinë, për të siguruar shtrirjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj.
Mustafa ka theksuar se qeveria që ai do të drejtojë, do ti japë mundësi pune atyre që mund të punojnë dhe përmes zbatimit të ekonomisë sociale të tregut, të kujdeset për shtresat në nevojë.
Qeveria e re e Kosovës do ta zbatojë ligjin. Qeveria ime nuk do të vihet mbi ligjin, por do të respektojë atë, do të sigurojë pavarësi pushtetesh, të luftojë korrupsionin si të keqen më të madhe, krimin e organizuar, karvanet e kontrabandës nga veriu dhe tua ndërprejmë manipuluesve keqpërdorimin dhe dëmtimin ekonomik të Kosovës dhe do ti vë përpara përgjegjësisë të gjithë shkelësit, ka thënë Mustafa, sipas të cilit, qeverisja e re do ti sigurojë Kosovës demokracinë, zhvillimin dhe integrimin.
Kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, njëherit kryetar i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, pasi ka prezantuar katër kandidatët nga kjo komunë për deputetë të Kuvendit të Kosovës, ka theksuar se qeverisja e ardhshme e Kosovës, e drejtuar nga Isa Mustafa, do të ketë kujdes të veçantë për Ferizajn, komunën e tretë më të madhe dhe kontribuesen e dytë më të madhe të buxhetit të shtetit.
Ai ka theksuar se qeveria e ardhshme e Kosovës do të zgjidhë problemin e punëtorëve të Fabrikës së Tubave, të cilët janë mashtruar dhe manipuluar nga qeveria në largim.