Mustafa: Festa e Bajramit na bashkon në të gjitha aspektet
Prishtinë, 25 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga anëtarët e Kabinetit Qeveritar dhe bashkëpunëtorë të tjerë, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, për të uruar Festën e Fitër Bajramit.
Kryeministri Mustafa uroi Myftiun Tërnava, duke theksuar se kjo festë e rëndësishme, gjithmonë na bënë bashkë të gjithëve.
Është një festë e cila të gjithëve na bashkon jo vetëm simbolikisht në një tryezë, por edhe mendësisht që të shkojmë bashkërisht përpara, që të zgjidhim të gjitha problemet bashkërisht, në të mirë të qytetarëve tanë dhe synimeve tona që të jetojmë më mirë, që të respektojmë vlerat themelore të një shoqërie, që të punojmë për paqe, të punojmë për stabilitet, të punojmë për një Kosovë për të gjithë qytetarët tanë, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa ka shprehur konsideratë të lartë për Bashkësinë Islame të Kosovës, për punën e bërë në unitetin e qytetarëve tanë, por edhe në rritjen e paqes dhe sigurisë në vend dhe më gjerë.