Mustafa: Exit Poll i Klanit është porositur nga koalicioni i territ
Rezultati që është prezantuar sonte është dhënë nga Klani para dy javësh, tani vetëm është paketuar ndryshe. Kjo është një përpjekje për të ndryshuar vullnetin e qytetarëve. Ne konsiderojmë se kutitë e votimit janë Exit Poll i vetëm dhe rezultati i vetëm i këtyre zgjedhjeve. Qëllimi i këtij Exit Poll është që të prejudikojë rezultatin dhe t'i prezantohet si i vërtetë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se LDK fton të gjithë komisionerët, vëzhguesit dhe menaxherët e qendrave të votimit që të numërojnë çdo votë, sepse aty është vullneti i sovranit në favor të LDK-së dhe partnerëve të saj.
LDK fton edhe mediat që të mos bien pre e politikës ditore për të dëmtuar një proces zgjedhor fer dhe transparent. Vullneti i qytetarëve nuk mund të ndryshohet nga organizata, e cila ka histori të njëanshmërisë politike dhe Exit Poll-et e tyre në shumicën e rasteve kanë qenë të gabuara, ka thënë kryetari i LDK-së.
Madje edhe vet përfaqësuesi i kësaj organizate publikisht e pranoi se rezultatet mund të jenë të gabuara dhe jemi të bindur se ashtu do të dalë në fund, kur të numërohen votat.
Lidhja Demokratike dhe partnerët e saj janë duke e pritur me qetësi rezultatin zgjedhor i cili pa asnjë dyshim do të nxjerrë fitues koalicionin e djathtë. LDK e kundërshton Exit Poll-in e porositur dhe të prezantuar në Klan Kosova dhe ju bën thirrje qytetarëve që të rrinë të qetë sepse rezultatet e zgjedhjeve ndodhen në kutitë e votimit, ka thënë në fund kryetari LDK-së.