Mustafa: Braktisa koalicionin shkaku i orkestrimeve
Prishtinë, 15 tetor - Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa ka thënë se nuk kishte se si të rrinte më në Grupin parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re.
Qëndrimi në atë grup, sipas tij, nënkuptonte të qenit pjesë e tentativës për orkestrim të vendimeve të Kuvendit.
Në një intervistë për gazetën Koha Ditore, ai ka thënë se një gjë e tillë përpos që është e dëmshme për demokracinë e Kosovës duhet edhe të pengohet.
Me braktisjen e Grupit parlamentar të koalicionit, që drejtohet nga Aleanca për Kosovë të Re e Behgjet Pacollit, Mustafa mendon se i ka kontribuuar pengimit të tentativave për orkestrim.
Largimin nga Grupi parlamentar i KKR-së të ish-nënkryetarit të Partisë së Drejtësisë, Amir Ahmeti, të bërë të njëjtën ditë me të, Mustafa e ka quajtur koincidencë.
Ai ka thënë se si deputet i Grupit E15 nuk do të votojë kundër Qeverisë vetëm pse bëhet fjalë për një propozim të Qeverisë. E ka konfirmuar destabilitetin e Qeverisë.
Mustafa ka thënë se do ta votonte një koalicion PDK-AAK në rast se programi i tij nuk do të ishte vazhdimësi e Qeverisë aktuale. E ka kundërshtuar mënyrën se si Qeveria po mëton ta bëjë privatizimin e ndërmarrjeve publike.
Ai nuk ka parë dëme nga dialogu politik nëse ato do të bëheshin në korniza të dy shteteve. Deputeti i E15 ka apeluar tek liderët institucionalë e politikë për përshpejtim të reformës zgjedhore.