Mustafa: BE e NATO thonë se Kosova vendi më i korruptuar në Evropë
Prishtinë, 29 maj - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të enjten në Zhur të Hasit se vetëm LDK dhe programi i saj qeverisës mund ta shpëtojë Kosovën nga korrupsioni që e ka kapluar dhe këtë nuk po e themi vetëm ne, por edhe raportet e BE-së dhe të KFOR-it.
Komuniteti ndërkombëtar konsideron se qeveria në ikje nuk e ka luftuar korrupsionin dhe se jemi bërë vendi me i korruptuar në këtë pjesë të Evropës, kështu thotë edhe Bundestagu gjerman, kështu thonë edhe raportet e NATO-s, kështu thonë edhe komisionet e të BE-së, prandaj ne kemi ofruar një programin që ta ndalim degradimin dhe ta zhvillojmë shtetin, ka thënë kreu i LDK-së.
Ai ka shtuar se Lidhja Demokratike e Kosovës është partia më e madhe tani në Kosovë, është partia më e fuqishme, është partia e cila ka kultivuar marrëdhënie demokratike, dhe është partia e cila ofron programin më të mirë për qeverisjen e Kosovës në të ardhmen, sepse ky është program i demokracisë, është program i zhvillimit dhe i integrimit.
Ne synojmë ta demokratizojmë këtë vend, synojmë t'i sigurojmë liri të plota të qytetarit. Të sigurojmë kushte që bizneset të zhvillohen të pandikuara dhe të papenguara nga qeveria, dhe po ashtu të kemi shkolla të mira, spitale të mira, të kemi raporte të mira me miqtë tanë sidomos raporte të mira me SHBA, raporte të mira vendet e Bashkimit Evropian, pasi që synojmë të jemi familje e Bashkimit Evropian, ka thënë ai.
Mustafa ka shtuar se sot LDK ka marrë edhe përkrahjen e plotë edhe të kryetarit të Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul, i cili uron që LDK si pjesë e PPE do të fitojë në këto zgjedhje.
Ne po ofrojmë një program shumë të qartë, i cili është shumë më praktik dhe më i përshtatshëm edhe për këtë pjesë të Kosovës edhe për Zhurin, edhe për Prizrenin edhe për Dragashin, meqenëse jemi në këtë zonë të afërt, një program që ofron zhvillim të bujqësisë përmes se cilit ne do t'i rrisim subvencionet 3 herë për bujqësi, do të subvencionojmë prodhuesit bujqësorë, jo pronarët e tokave, do të subvencionojmë prodhimin e drejtpërdrejtë të pemëve e perimeve, blegtorinë, kultivimin e drithërave, në mënyrë që të hapim vende pune dhe të ju sigurojmë njerëzve punë në Kosovë, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se Qeveria do marrë mbi vete pagimin e kamatave të kredive të projekteve bujqësore dhe do t'i lirojmë nga kamatat bizneset në fazën fillestare në mënyrë që të inkuadrojnë njerëz në pune, e jo të ballafaqohen me probleme.
Ne kërkojmë nga ju që ta jepni voton për LDK, kërkojmë nga gjithë qytetarët e Zhurit që ata të përkrahin LDK-në. Ju keni pa se çfarë ka bërë kjo qeveri gjatë kësaj periudhe, dhe çfarë ofron kjo qeveri për periudhën e ardhshme. Ata kanë dështuar për 7 vite që ta zhvillojnë ekonomikisht Kosovën. Ju jeni ata që do të vendosni për ardhmen e këtij vendi, sepse çdo votë është e shenjtë, ka shtuar kreu i LDK-së.