Mustafa: Asnjëherë nuk do të bëjë koalicion me PDK-në
Prishtinë, 4 nëntor - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, nuk ka ndërruar qëndrim në relacion me kryeministrin Hashim Thaçi dhe subjektin që drejton ai-Partinë Demokratike të Kosovës.
Edhe pse zgjedhjet ende nuk shihen në "horizont", ai në një intervistë dhënë për "Zëri" thotë se asnjëherë nuk do të bëjë koalicion me PDK-në, pavarësisht ofertës që mund të dalë nga Thaçi, qoftë edhe posti i presidentit apo kryeministrit.
Mustafa tha se një koalicion i të "mëdhenjve" do të ishte i rrezikshëm për demokracinë në Kosovë, ndërsa duket se më shumë pëlqen AAK-në për një koalicion paszgjedhor.
Lideri i partisë më të madhe opozitare nuk e mbështet praktikën e Vetëvendosjes për rrëzim kamionësh, ndërsa nuk e përjashton mundësinë e një blloku opozitar për veprime të përbashkëta me interes kombëtar.
Lideri i LDK-së thotë se akoma nuk ka menduar se kush nga partia e tij do të kandidojë në zgjedhjet për president të vendit, por nuk e përjashton mundësinë që LDK-ja ta mbështesë ndonjë kandidat nga bota akademike.
Ambiciet e ish-presidentit Sejdiu për rikthim në LDK ai i shesh si humane, edhe pse nuk i pëlqen deklarimet e tij dhënë në media, kinse kuvendi i fundit i LDK-së, ku ai ka humbur garën, ka qenë "i turbullt".
Isa Musfa po ashtu nuk i fsheh përpjekjet e tij për ta mundur Hashim Thaçin në zgjedhjet e ardhme. Ai tha se po mëson nga Partia Demokratike e SHBA-ve se si ata e kanë zhvilluar fushatën atje, në mënyrë që praktikat e tyre ti përdorë në Kosovë.