Mustafa: Askund nuk është më mirë se në Kosovë
Prishtinë, 3 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në një vizitë në Rahovec, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës, ka strategjinë për parandalimin e migrimit ilegal të qytetarëve. Sipas shefit të Qeverisë, askund nuk është më mirë se në Kosovë, dhe se gjithë ata që po ikin do të kthehen këtu përsëri.
Jemi duke punuar edhe në të gjithë sektorët e ekonomisë, në mënyrë që të japim shpresa për hapjen e vendeve të reja të punës, për tërheqjen e investimeve të jashtme, për nxitjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të cilat do të krijojnë kushte për punësim.\"
\"Do të bëhen edhe reforma strukturore edhe në fushën e arsimit, edhe në fushën e shëndetësisë në mënyrë që edhe në këto fusha të kemi një arsimim më të mirë që do tu mundësojnë që shkollimi që arrijnë nxënësit dhe studentët të mundësojë që ata të hapin vetë vende të punës dhe të krijojnë vetëpunësim siç bëhet edhe në vendet e tjera, ka thënë Mustafa, të hënën, gjatë qëndrimit në Rahovec. Qeveria tanimë ka një strategji, e cila do të fillojë që nga gjysma e dytë e muajit shkurt.
Kryeministri Mustafa është shprehur se problemet e qytetarëve nuk zgjidhen në stacionet e autobusëve. Ai ka bërë apel që të gjithë të ndikojnë në njerëzit e afërt në mënyrë që ata mos ta lëshojnë Kosovën.
Problemet nuk zgjidhen në stacion të autobusëve dhe problemet duhet të zgjidhen në shtëpitë tona, duhet të zgjidhen në ekonominë tonë, në ndërmarrjet tona, sepse kur njerëzit arrijnë në stacion të autobusëve pastaj është vonë që të intervenohet. Prandaj bëj apel që të gjithë ne, edhe në familje, edhe në shkollë, edhe në shoqëri, të ndikojmë që njerëzit të mos e lëshojnë Kosovën, sepse përsëri do të kthehen këtu. Më mirë e kanë në Kosovë se në ato vende ku shkojnë, është shprehur Mustafa.
/Koha Ditore/