Murati: Kemi regjistruar rreth 200 mijë bashkatdhetarë
Prishtinë, 24 dhjetor - Ministri i Diasporës, Valon Murati, sot mbajti konferencën e fundvitit me gazetarë, me çrast i shpalosi objektivat e arritura të Ministrisë, veçanërisht një nga projektet më të rëndësishme procesin e regjistrimit të diasporës dhe mërgatës.
Ai tha se procesi i regjistrimit do të vazhdojë edhe në vitin 2016, për të pasur kështu një publikim përfundimtar të shifrave të detajuara në fillim të vitit 2017.
Falë fushatës së suksesshme gjatë muajve të verës dhe punës së palodhshme, kemi arritur që ti regjistrojmë rreth 200.000 bashkatdhetarë, por nuk do të ndalemi me kaq. Puna do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm, tha ministri Murati.
Ai theksoi se në këtë proces do të përfshihen edhe ambasadat dhe konsullatat, në mënyrë që bashkatdhetarëve tu bëhet më i lehtë regjistrimi i tyre, ndërsa në të ardhmen MeD-ja do të përqendrohet edhe në regjistrimin online.
Në konferencë u përmend edhe marrëveshja e nënshkruar mes dy qeverive për mësimin plotësues të gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë, si dhe memorandumi i përbashkët Kosovë-Shqipëri për Ditët e Kulturës Shqiptare në diasporë .
Ministri Murati e përmendi edhe tarifën për sigurimin kufitar.
Me nismën e MeD-së dhe në bashkëpunim me institucionet e tjera është arritur të bëhet ulja e tarifës për sigurimin kufitar për 50 për qind. Synimi është të zgjidhet përfundimisht ky problem, për çka do të vazhdojmë të angazhohemi edhe në vitin 2016, theksoi ministri Murati.
U prezantuan edhe projekte të tjera të rëndësishme, si themelimi i rrjeteve të përbashkëta të të rinjve shqiptarë dhe i atyre të bizneseve shqiptare në diasporë.
Në konferencën me gazetarë u lansua edhe uebfaqja e re, e freskuar si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga dizajni.
Sa i përket numrit të bizneseve jashtë vendit, ministri tha se me inicimin e Ministrisë së Diasporës janë themeluar 20 rrjete të bizneseve ne diasporë, të cilat kanë krijuar një strukturë të përbashkët, konkretisht rrjetin e përbashkët të bizneseve shqiptare në diasporë.
Kemi vazhduar të punojmë në zgjerimin dhe forcimin e rrjeteve të bizneseve të diasporës, të jemi zëri i tyre në institucionet e shtetit. Si rezultat i angazhimit në këtë fushë, sot jemi pjesë e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, në kuadër të të cilit e udhëheqim grupin e punës për tërheqjen e investimeve nga diaspora, tha ndër të tjera ministri Murati.
Në fund, ministri Murati kërkoi përkrahje nga mediat për afirmimin e procesit të regjistrimit, si dhe sensibilizimin e bashkatdhetarëve për mësimin plotësues të gjuhës shqipe.