26 Dhjetor 2024

Mungesa e lidershipit politik ka dëmtuar buxhetin e shtetit me miliona euro

Prishtinë, 30 mars - Lëvizja FOL me mbeshtetjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur( KFOS) ka mbajtur konferencë me ç’rast u publikua raporti “Reforma e Administratës Publike në gjendjen e stagnimit”.  

Panelistë në këtë konferencë ishin: Luigi Brusa, Shef i sektorit për Bashkëpunim nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ibadete Mehmeti nga Departamenti për Reformën e Administratës Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtore ekzekutive e Lëvizjes FOL tha se që nga muaji tetor i vitit të kaluar FOL ka monitoruar zbatimin e Kontratës së Reformës Sektoriale për Reformën e Administratës Publike.

“Qëllimi i këtij raporti është të mbështes angazhimin aktiv të shoqërisë civile me procesin e Reformës në Administratë Publike, si dhe të inkurajoj diskutimin mbi sfidat dhe mundësitë për të ecur përpara reformat në administratën publike”, tha ajo.

 Sipas saj, Kosova negociatat me Komisionin Evropian për të përfituar nga Mbështetja Buxhetore Sektoriale i filloi në vitin 2017, ndërkaq në dhjetor, 2017 Kontrata e Reformës së Sektoriale për Reformën e Administratës Publike (KRS për RAP) në vlerë prej 25 milion € u ratifikua nga Kosova dhe zbatimi i saj filloi në vitin 2018.

Luigi Brusa, Shef i sektorit për Bashkëpunim nga Zyra e BE-së tha se, ne kemi krijuar një program në mënyrë që të monitorojmë implementimin real të reformës në përgjithësi. “Qëllimi ynë kryesor është përmisimi i koordinimit të punëve, kualiteti i implementimit të reformës në fjalë, por njëkohësisht edhe krjimi dhe implementimi i një rregulloreje më efikase. Ngritja e transparencës dhe përgjegjësisë, është kyçe sa i përket zhvillimit përmes kësaj reforme”, tha ai.

Sipas tijm qeveritë e kaluara nuk kanë kryer punë siç duhet dhe rrjedhimisht jemi mbrapa me implementim të Reformës.

“Targetet nuk janë të vështira për t’u arritur, mirëpo kërkojnë diciplinë në kryerjen e tyre nga stafi civil. Deri më tani kemi parë se si qeveritë e kaluara kanë punësuar staf jo-meritor, duke rritur nepotizmin e kështu edhe punët e pa-kryera, andaj shpresojmë se qeveria e tanishme do bëj reformë të brendshme, duke punësuar staf meritor të cilët do të mbahen përgjegjës për punën e tyre, njëkohësisht edhe drejtor dhe staf menaxherial të aftë. Unë inkurajoj qeverinë e re të reformojë administratën dhe të përfundojë reformën në fjalë. Administrata publike është vështirë për t’u reformuar, por jo e pamundur”, tha Brusa.

Ndërkaq, Ibadete Mehmeti nga Departamenti për Reformën e Administratës Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme tha se duke pas parasysh që reforma e Administraës është prioritet, kemi pasur sfida në arritjen e objektivave, ku për mosarritjen këtyre objektivave dukshëm ka ndikuar situata politike në vend si dhe pandemia.

“Ajo çka duhet të përmendet është se kemi arritur progres në disa pika, këtu duhet të përmendet progresi per reformen buxhetore sektoriale nga trashi fix”, ta ajo, duke shtuar se raporti paraqet gjendjen reale në të cilën ndodhemi, por mbetet të punohet në arritjen e objektivave të cilat i kemi caktuar vetit.

Gjetjet Kryesore të raportit janë:

-Objektivi i përgjithshëm i Kontratës së Reformës Sektoriale për Reformen ne Administrate Publike është "të ndihmojë qeverinë e Kosovës në rritjen e llogaridhënies, transparencës dhe  efektivitetit të administratës publike, me fokus në nevojat e qytetarëve dhe bizneseve". Ky objektiv i përgjithshëm përcaktohet më tej përmes objektivave specifike dhe rezultateve të pritura.

Kontrata e Reformës Sektoriale për Reformën e Administratës Publike (KRS për RAP) është një mjet shumë efektiv për nxitjen e pronësisë lokale dhe ofrimin e fokusit në reformat kryesore në administratën publike.

KRS për RAP përmban objektiva jashtëzakonisht të rëndësishme të reformës që janë thelbësore për qytetarët dhe komunitetin e biznesit. Si i tillë, ky partneritet midis qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian duhet të vazhdojë, megjithatë, synimet e reformave duhet të jenë më realiste;

Në 2018 qeveria bëri relativisht mirë në arritjen e synimeve të reformës nga KRS për RAP duke siguruar 3.1 milion € nga fondet e BE-së që u disbursuan drejtpërdrejt në thesarin kombëtar në vitin 2019. Sidoqoftë, kjo ishte minus 2.4 milion € nga ndihma financiare e zotuar nga BE në shumën prej 5.5 milion € nëse do të ishin arritur të gjitha synimet e reformës.

Viti 2019, ishte një vit i trishtueshëm për reformat në administratën publike, pasi vetëm një tregues u vlerësua nga BE-ja si i arritur, duke rezultuar me 420,000 € të disbursuara në këste të ndryshueshme për qeverinë e Kosovës.

Mungesa e progresit në vitin 2019 rezultoi me humbjen e mbi 5 milion € nga qeveria. Synimet e reformës për vitin 2020 u zhvendosën në vitin 2021 për shkak të ndikimit të Covid-19, duke i dhënë qeverisë një mundësi të re për të siguruar 5.5 milion euro nga fondet e BE.

Mungesa e arritjes së të gjitha synimeve të rëna dakord të reformave nga KRS për RAP për vitin 2018 dhe 2019 rezultoi me mbi 7 milion euro që nuk u disbursuan në thesarin kombëtar nga fondet e BE.

Agjendës së reformës së administratës publike i mungon lidershipi politik, kryesisht si rezultat i bashkimit të ish-Ministrisë së Administratës Publike me Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila nuk ka funksionuar. Mungesa e lidershipit politik, ka minuar reformat në administratën publike;

Nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik për të zbatuar synimet kryesore të reformave nga Kontrata e Reformës Sektoriale për RAP, veçanërisht racionalizimi i agjencive dhe institucioneve të pavarura;

Qeveria duhet t’i qaset zbatimit të KRS-së për RAP si e rëndësishme për qytetarët e saj dhe komunitetin e biznesit. Sigurisht, stimujt financiarë nga BE janë gjithashtu të rëndësishme. Viti 2021 paraqet një mundësi madhore për qeverinë për të zbatuar me sukses Kontratën e Reformës së Sektorit për RAP dhe të merr 5.5 milion €;

Departamenti për Reformën e Administratës Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i cili është i ngarkuar të koordinojë agjendën e RAP-it është një mekanizëm pozitiv, që punon në mënyrë proaktive për të mbështetur, monitoruar dhe koordinuar procesin e reformës, megjithatë vetë departamenti nuk është i ngarkuar për të zbatuar synime të veçanta të reformës. Departamentit i nevojitet mbështetje e nevojshme politike për t’u bërë më efektive në shtyrjen përpara të zbatimit të synimeve të reformës nga institucionet përgjegjëse.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)