Mungesa e Hotit ka lënë një boshllëk në jetën familjare dhe intelektuale
Prishtinë, 16 maj - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar se Ukshin Hoti është një prej figurave më emblematike të luftës së Kosovës për liri dhe pavarësi.
Veseli me rastin e 17-vjetorit të zhdukjes se profesor Hotit ka deklaruar se ai kishte kurajën që të fliste hapur. Kanë kaluar 17 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit, njërit prej heronjve më emblematikë të luftës sonë për liri e pavarësi. Profesor Ukshin Hoti ka pasur kurajën që të flasë hapur kur shumë të tjerë heshtnin duke u shndërruar në një shembull të rrallë të intelektualit patriot e trim që idealet i mbronte me këmbëngulje e vetëmohim, ka shkruar Veseli në profilin e vet në Facebook.
Veseli ka thënë se mungesa e Hotit ka lënë një boshllëk në jetën familjare dhe intelektuale. Ai e ka trajtuar çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë në mënyrë shkencore e largpamëse duke pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën politike të popullit shqiptar. Mungesa e tij ka lënë një boshllëk të madh e të pazëvendësueshëm, jo vetëm në zemrat e familjarëve, miqve, studentëve dhe të kujtdo që e ka njohur, por edhe në mbarë botën intelektuale shqiptare. Fati i pazbardhur dhe misterioz i mendimtarit tonë të shquar rëndon në ndërgjegjen tonë kolektive dhe na kujton për sakrificat e mëdha që janë bërë për ti mundësuar ditët e lirisë dhe demokracisë që gëzojmë sot, ka shkruar Veseli.