Mungesa e grave politikane në media është e theksuar
Prishtinë, 24 mars - Përfaqësimi i grave në media dhe gjithëpërfshirja në qeverisje ishin temat e diskutimit në ditën e tretë të debateve mbi politika në kuadër të Javës së Gruas.
Kjo ngjarje u organizua nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) me mbështetje të Agjenicsë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Në fjalën e saj hyrëse Gentiana Begolli, Kryetare e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës theksoi nevojën për më shumë gra në pozita udhëheqëse në media. Sipas saj një gjë e tillë do të ndikonte edhe në përfaqësimin e grave në media.
Në diskutimin me panelistët Sonja Lokar, Eksperte për Barazinë Gjinore në Slloveni, Milica Andrić Rakić, Menaxhere e Programit nga NSI dhe Neriman Ferizi, Zyrtar i Programit në CBM u tha që gratë janë shumë pak të përfaqësuara në media, trend i cili ka vazhduar edhe përgjatë zgjedhjeve të fundit në Kosovë.
Lokar theksoi se nëse mungon vëmendja e mediave ka vështirësi që gratë të shndërrohen ne lidere.
“Kurdo që gratë sulmohen në mënyrë seksiste apo mizogjinike, solidariteti mes grave duhet të jetë aty. Duhet të ketë qasje ndryshe në përgatitjen e lajmeve” tha Lokar.
Andrić Rakić përmendi përfaqësimin e ulët të punonjësve gra në media, vetëm 35% si dhe vështirësitë për të marrë vemendje mediale në një realitet ku mediat vendosin se çka përbën lajm.
Neriman Ferizi tha se mungesa e grave politikane në media është e theksuar, përderisa përmendi faktorët si të qenit shoqëri patriarkale, vendimet brenda partiake, narracionet e egra në debate, mediat tradicionale dhe ato online që ndikojnë në këtë situatë.
Kreu i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri dhe Kryesuesja e Asamblesë së Skënderajt, Fatbardha Haliti diskutuan lidhur me sigurimin e listave zgjedhore gjithpërfshirëse dhe me kandidatë me integritet të lartë.
Tahiri vlerësoi se fuqizimi ekonomik dhe politik i grave është i domosdoshëm përderisa bëri edhe një premtim.
“Të gjitha partitë politike në listat për asamble komunale le t’i vendosin prijëse gratë. Kjo automatikisht do të siguronte përfaqësim më të madh të grave. Nëse do të jem kryetar dege edhe për Zgjedhje lokale, zotohem se do të vendosim grua bartëse të listës për asamble komunale”, pohoi Tahiri.
Haliti vlerësoi se sfidat me të cilat ballafaqohen gratë gjatë rrugëtimit politik janë të shumta.
"Problemi qëndron se në pozitat ekzekutive kemi numër shumë të vogël të grave, duke vazhduar tek drejtoritë komunale si dhe nominimet nga partitë politike ku pjesa dërmuese e tyre janë burra" pohoi ajo.
Debatet mbi politika në kuadër të Javës së Gruas do të vazhdojnë edhe për dy ditët e ardhshme.
Java e Gruas (WoW) është një ngjarje vjetore mbarëkombëtare që mbledh në një mjedis ndër-etnik, më shumë se 120 gra dhe burra nga partitë politike, shoqëria civile, biznesi, media dhe akademia, me qëllim të zgjërimit dhe forcimit të kapaciteteve të grave udhëheqëse dhe ti mbështesë ato për të marrë pozicione më të larta drejtuese.
Gjatë nëntë viteve të fundit, WoW ka ofruar një platformë për debat mbi politika dhe diskutim intensiv me politikanë prominent dhe zyrtarë të zgjedhur. Kjo u mundëson pjesëmarrësve të mbajnë në përgjegjësi përfaqësuesit e tyre përderisa në të njejtën kohë mbështesin zhvillimin e shkathtësive të lidershipit për gratë në politikë.