Mungesa e deputeteve të PDK, dështon seancën e Kuvendit
Prishtinë, 13 korrik - Mungesa e shumicës së deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka ndikuar që Kuvendi i Kosovës për dy ditë rresht të dështojë të sigurojë kuorumin e nevojshëm për të votuar në lidhje me mocionin e ngritur ndaj ministres së Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari - Lila për tarifën prej 35 për qind në importin e çimentos.
Ndonëse mocioni është ngritur nga Aleanca Kosova e Re, prej nga vjen ministrja Kusari Lila dhe e cila është në koalicion me PDK-në, partia më e madhe, me përjashtime, ka refuzuar të vijë sërish në seancë.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri akuzoi PDK-në për papërgjegjësi duke sabotuar punën e Kuvendit.
Ky kuvend nuk meriton të menaxhohet, jo me fajin tuaj, nga Qeveria e Kosovës, sepse po ka përpjekje punën tuaj si kryetar i Kuvendit, punën tonë, të na e nëpërkëmbin këta njerëz të papërgjegjshëm, tha Beqiri.
Ndërsa Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes tha se mungesa e deputetëve të koalicionit në seancë, është tregues i qartë i një interesi të thellë në çështjen e çimentos, për të cilin ministrja Kusari-Lila një ditë më parë u paraqit në interpelancë.
Është një grup parlamentar i cili ose po rrezikon që për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme që të përçahet këtu në sallë dhe nuk po guxojnë të vijnë, ose e kanë një interes të thellë të Qeverisë, por edhe të vetin personal, që nuk po duan ta votojnë këtë mocion, theksoi Ymeri.
Ndërkaq deputiti i partisë në pushtet Fatmir Limaj, njëri prej deputetëve të paktë të PDK-së të pranishëm në seancë, kursin e kritikave e ktheu edhe kah opozita, duke thënë se të gjithë janë fajtor për gjendjen në të cilën janë institucionet e Kosovës qe një vit e gjysmë.
Ju sot folni për mocion, po për cilin mocion? Një mocion që e ka ngritur deputeti i pozitës. Zotëri Emin Gërbeshi e ka gritur këtë mocion, ku jeni ju opozita? Në vend që të dalë nga ju, ka dalë nga deputeti i pozitës. Kështu që nuk keni shumë mundësi dhe hapësirë ju ta kritikoni dikë tjetër. Unë jam i shqetësuar për gjendjen që është në institucionet e këtij vendi, tha Limaj.
Ai tha se Kuvendi as 0.1 për qind nuk e ka realizuar mandatin që i është dhënë nga qytetarët e Kosovës, ndërkohë shtoi se institucionet e vendit kanë qenë në gjendje më të mirë në vitin 1999, në kohën e Kushnerit, sesa që janë sot.
Ndërkaq deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti, duke thënë se një bojkot i tillë nga pozita nuk ka ndodhur asnjëherë në praktikën parlamentare, hodhi dyshime që Qeveria sot nuk i ka votat e nevojshme në Kuvend.
Që nga dje, për mua politikisht kjo shumicë nuk është shumicë, sepse Qeveria e ka demonstruar me gjeste me veprime këtu që nuk e ka shumicën dhe le të dalë nesër pasnesër, kur të dojë, është e detyruar ta aprovojë a e ka shumicën parlamentare. Nëse e ka le ta provojë, tha Hamiti.