Muja e quan Kurtin antiamerikan
Prishtinë, 7 tetor - Deputeti i PDK-së, Shaip Muja dhe ai i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca janë përfshirë në një konflikt verbal në seancën e Kuvendit të Kosovës të premten, duke drejtuar akuza ndaj njëri-tjetrit.
E gjitha ka nisur kur deputeti i Vetëvendosjes Albin Kurti ka folur për SHBA-në si një demokraci e zhvilluar me ushtri të zhvilluar, derisa diskutoi për propozim-vendimin për zbarkimin e FSK-së. Fjalët e Kurtit për SHBA-në, deputeti Muja ka thënë se i sheh të rëndësishme, për faktin se sipas tij, Kurti më herët i ka quajtur amerikanët okupatorë të Kosovës. Në mbrojtje të Kurtit pastaj ka dalë deputeti Konjufca.
Deputeti i PDK-së, Shaip Muja ka thënë se Albin Kurti më herët i ka quajtur okupatore Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse tani po e mirëpret mbështetjet e tyre për FSK-në.
Avokat i Kurtit, në këtë rast është bërë deputeti Glauk Konjufca, i cili ka thënë se janë deputetët e PDK-së ata që po i bëjnë lajka Amerikës për ti fshehur krimet e tyre, përderisa e ka apostrofuar me emër deputetin Shaip Muja, duke thënë se ka keqpërdorë paratë publike për çka, sipas tij, edhe është duke u hetuar.
Më tej Muja në replikën e tij ka thënë se nuk e fajësoi asgjë Kurtin, por përkundrazi e mori për shembull të mirë, ndërkohë që për ti arsyetuar ato që tha më herët, i rekomandoi Konjufcës që të lexojë një gazetë gjermane.
Për sqarim, zoti Konjufca duhet ta sheh një gazetë gjermane ku Kurti thotë se ne e kemi shndërruar Kosovën në koloni të SHBA-ve. E shprehin qartë antiamerikanizmin e tyre dhe sot mundohen të konvertohen, sepse i dinë gabimet që i kanë bërë, ka thënë Muja.
Edhe për akuzat për krimet, Muja i ka thënë se Konjufcës se mund të vazhdojë të merret me shpifje, sikur që janë marrë dhe kanë përkrahur shpifjet e Dick Martit.
Sipas Mujës, Vetëvendosja është shndërruar në një parti e cila po e humbë identitetin dhe nuk po di të akomodohet në institucionet e Kosovës.
Nga ana tjetër, Konjufca në kundër replikën e tij, i ka kërkuar deputetit Muja që të mos shërbehet nga propaganda serbe.
Ai ka thënë se Muja flet për demokracinë e SHBA-së kur vetë po hetohet që në mënyrë indirekte po i vjedh paratë e buxhetit të Kosovës, sepse, sipas Konjufcës, ai po hetohet për RTK-në, se si në mënyrë artificiale e ka krijuar emisionin për tia vjedhë paratë publike buxhetit të Kosovës. Në një shtet normal, sipas Konjufcës, një njeri i tillë, nuk do të mund të ishte deputet.(GE)