MSA e fut Kosovën në binarë të sigurt për të ardhmen evropiane
Në hapje të mbledhjes kryeministri Hashim Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës ka uruar Qeverinë dhe popullin kroat për anëtarësim në Bashkim Evropian.
Është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për qytetarët dhe qeverinë kroate, por edhe për gjithë rajonin, për reflektim dhe inkurajim për të gjitha vendet e rajonit, që të punohet edhe më mirë, edhe më shpejt, në mënyrë që të jemi sa më shpejt në mënyrë cilësore, pjesë e familjes euro-atlantike, ka thënë kryeministri Thaçi.
Kryeministri ka theksuar se edhe Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet e saja do të punojmë maksimalisht që procesi i integrimit të Republikës së Kosovës të përshpejtohet.
Marrëveshja për Stabilizim-Asociim, që definitivisht shtetin e Kosovës e fut në binarë të sigurt për të ardhmen evropiane, një proces ky i njëjtë sikur në të gjitha vendet tjera të rajonit, është edhe një hap konkret në këtë drejtim ka thënë Thaçi.
Kryeministri ka shprehur edhe një herë angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar përkushtimin në implementimin e plotë të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
Dëshiroj edhe njëherë të falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për mbështetje unike, të partive që kanë qenë mbështetëse të procesit të negociatave, për votimin me dy të tretat për ratifikimin e marrëveshjes në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi.
Më lejoni që edhe njëherë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të popullit të Kosovës, të uroj kryeministrin Berisha, Qeverinë e Shqipërisë, të gjitha partitë politike, të gjithë qytetarët e Shqipërisë, për organizimin e zgjedhjeve sipas standardeve më të mira deri më tani në Shqipëri, standardeve më të larta deri më tani në Shqipëri, dhe i bashkëngjitëm gjithë botës demokratike të përshëndetjes për organizimin e zgjedhjeve të lira, fer, demokratike, transparente, të konkurrencës së lirë.\"
\"Në të njëjtën kohë, ishte një rotacion dhe tranzicion historik, siç është edhe një ardhje e re historike e fituesit të liderit të opozitës, kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama, tha kryeministri Thaçi.
Qeveria e Republikës së Kosovës, siç ka bashkëpunuar shkëlqyeshëm me Qeverinë Berisha, do të vazhdoj të bashkëpunojë ngushtë dhe shkëlqyeshëm me kryeministrin e ri, Rama dhe qeverinë e ardhshme të Republikës së Shqipërisë.\"
\"Prandaj inkurajoj të gjithë ministrat, që në rrafshin dhe në fushat e tyre, të intensifikojnë bashkëpunimin e vazhdimit të projekteve që kanë qenë duke u implementuar, dhe hapjen e mundësive për bashkëpunim edhe më të ngushtë, për implementimin e të gjitha projekteve dhe agjendave që kemi qenë duke punuar, dhe që do të hapin edhe perspektiva të reja, deklaroi kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e hapjes së mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.
Në vazhdim të mbledhjes, Qeveria e Kosovës ka aprovuar Udhëzimin Administrativ për përcaktimin e rasteve të zyrtarëve policorë të cilët vdesin në detyrë apo në kryerje të detyrës. Ky Udhëzim përcakton mënyrën e kompensimit dhe trajtimit për zyrtarët policorë që pësojnë gjatë kryerjes së detyrave të tyre të punës.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar edhe Udhëzimin Administrativ për parandalimin dhe ndalimin e formave të rrezikshme të punës së fëmijëve në Kosovë.
Me miratimin Koncept Dokumentit për hartimin e Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, është hapur rruga për fillimin e hartimit të ndryshimeve në këtë Ligj.
Qeveria ka konfirmuar edhe vendimin e Komitetit Drejtues për Projektin e Zhvillimit të Brezovicës.
Në këtë rast Qeveria e Republikës së Kosovës ka përsërit mbështetjen e plotë për zbatimin e këtij projekti me qëllim të zhvillimit të një qendre turistike, malore; për përdorim të shumëllojshëm dhe me aktivitete gjatë tërë viti.
Komiteti Drejtues Ndërministror do të bëjë përpjekje për të siguruar interesat ligjore dhe ekonomike të Ndërmarrjes Shoqërore INEX, gjatë zhvillimit të projektit dhe në pajtim me ligjet e aplikueshme.
Qeveria ka kërkuar që të gjitha ministritë dhe institucionet qeveritare të lehtësojnë zbatimin e këtij vendimi dhe veprimet tjera që ndërlidhen me zbatimin e Projektit për Zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës.
Është aprovuar edhe ndryshimi dhe plotësimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrjen e përgjegjësive të plota për marrjen e Aeroportit Ushtarak të Gjakovës, me rastin e transferimit nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Italisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka diskutuar dhe aprovuar Planin Vjetor të Agjencisë së Statistikave për vitin 2014 si dhe Raportin Vjetor të Agjencisë së Statistikave për vitin 2012.
Me vendimin e aprovuar ne mbledhjen e sotme nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Fidaim Sahiti është emëruar në pozitën e kryeshefit të Institutit Gjeologjik të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Qeveria ka miratuar vendimin për përvetësimin e dividendës nga ndërmarrja publike e KOST-it, në vlerë prej 3,000,000 euro.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës, gjithashtu ka ndarë mjete për rehabilitimin e invalidëve, veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve të UÇK-së.