MPMS ka avancuar pesë zyrtarë në kundërshtim me kriteret
Prishtinë, 9 korrik - Pesë avancime në kundërshtim me kriteret për avancim në karrierë janë bërë në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale gjatë vitit 2014.
Njëri prej tyre, sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm kishte ndodhur pa e vlerësuar performancën e zyrtarit që ishte avancuar, për vitin 2013, shkruan sot Koha Ditore.
Të gjitha këto avancime ishin bërë me vendim të sekretarit të atëhershëm të kësaj ministrie, Eshref Shabani. Në ministri këto avancime i kanë arsyetuar me performancat, sipas tyre të shkëlqyera të zyrtarëve, ndërkohë që vetë Shabani, ka thënë se nuk është bërë kiameti, se i ka avancuar ata zyrtarë pa iu nënshtruar procedurave të brendshme të konkurrimit.
Njëra prej gjetjeve të Auditorit të Përgjithshëm, në raportin për Ministrinë e Punës, është se gradimi dhe avancimi i stafit është bërë në kundërshtim me rregulloret e aplikueshme.
/Koha Ditore/