MPJD mirëpret marrëveshjen për nxitje të investimeve amerikane në Kosovë
Prishtinë, 31 dhjetor - Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla, ka mirëpritur marrëveshjen e nënshkruar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Nxitje të Investimeve, duke e cilësuar këtë si dëshmi të aleancës së fortë mes dy shteteve.
“Marrëdhënia kryesore strategjike e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës thellohet edhe më tej sot me nënshkrimin e Marrëveshjes për Nxitje të Investimeve, të cilën si Ministri e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e kemi propozuar dhe miratuar në mbledhjen e Qeverisë më 7 tetor 2020”, është shprehur ministrja Haradinaj-Stublla.
Kjo marrëveshje që u nënshkrua sot nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e SHBA-ve, shton ajo, afirmon dëshirën e përbashkët për nxitjen e aktiviteteve shumë të nevojshme ekonomike amerikane në Republikën e Kosovës që promovojnë zhvillimin e burimeve dhe kapaciteteve ekonomike të Republikës së Kosovës, rrisin punësimin, prosperitetin e mirëqenien për qytetarët e Kosovës.
Shefja e diplomacisë kosovare, shprehet se kjo marrëveshje gjithashtu mundëson konkretizimin e zotimeve për projekte ekonomike të Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ndërmarra në Marrëveshjen e datës 4 Shtator 2020 në Washington D.C.
“Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si djep i lirisë dhe prosperitetit, që Kosovës i qëndruan pranë gjithmonë.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe miqtë e saj të vërtetë”, është shprehur Ministrja Haradinaj-Stublla.