MPJ vazhdon me paqartësi rreth numrit të saktë të njohjeve
Tri shtetet e fundit që e kanë njohur Kosovën, si vend të pavarur dhe sovran, nuk figurojnë fare në listën zyrtare të kësaj ministrie, ku janë të listuara shtetet që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.
Dominika, Pakistani dhe Guajana janë vendet që po vazhdojnë të injorohen nga MPJ-ja, pavarësisht se vetë drejtuesit e këtij dikasteri qeveritar i kanë konfirmuar njohjet, duke pohuar se këto tri shtete kanë marrë vendim që ti thonë po shtetit të Kosovës.
Republika e Dominikes dhe ajo e Pakistanit, njohjen e kanë bërë pothuajse para gjashtë muajve, saktësisht në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Qeveria e Guajanas e ka marrë vendimin në mars të këtij viti, kur edhe është konfirmuar njohja nga MPJ-ja.
Ndërkohë, në këtë listë vazhdojnë të qëndrojnë emrat e shteteve, për të cilat është thënë se nuk e kanë njohur Kosovën, përkatësisht Nigeria dhe Uganda, dhe ajo Sao Tome dhe Principe, autoritetet e të cilit muaj më parë kanë deklaruar se nuk e kanë njohur Kosovën.
Ndryshe nga kjo, shtimi i njohjeve të reja kohën e fundit më shumë është bërë fushatë elektorale sesa diplomaci e mirëfilltë.
/ Zëri/