MPJ thirrje ndërkombëtarëve për zbardhjen e fatit të të pagjeturve
Prishtinë, 31 gusht - Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur (30 Gusht), Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, në emër të Qeverisë së Kosovës, i ka dërguar një notë verbale të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian, Zyrës së Baroneshës Catherine Ashton dhe shteteve të tjera mike, ku ka kërkuar që të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur në Kosovë.
Përmes kësaj note verbale, MPJ i bëhen thirrje të gjitha institucioneve relevante ndërkombëtare që të ndihmojnë për zbardhjen e fatit të 1726 qytetarëve të Kosovës, duke shprehur dhimbjen e familjeve kosovare të cilat gjatë katërmbëdhjetë viteve nuk i kanë gjetur më të dashurit e tyre.
Në notë, theksohet se Kosova e përkujton në vazhdimësi këtë tragjedi të shkaktuar nga asgjësimi i paramenduar dhe sistematik i qytetarëve të saj, nga regjimi i Millosheviqit.
Po ashtu, thuhet se ekzistojnë fakte të qarta dhe bindëse se regjimi diktatorial është përpjekur të fsheh krimet kundër njerëzimit, duke angazhuar forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe në fushatën e tyre çnjerëzore në Kosovë, gjatë periudhës 1998/1999.
Duke iu referuar konventave dhe akteve të tjera ndërkombëtare mbi të drejtat universale të njeriut, MPJ përsërit apelin për Qeverinë e Serbisë që të jetë më bashkëpunuese në adresimin e fatit të qytetarëve të kidnapuar gjatë luftës së Kosovës, më 1998/1999.
Për më shumë se një dekadë, ka ekzistuar një shmangie e vazhdueshme nga autoritetet në Serbi, që të adresojë trashëgiminë e krimeve të luftës që kanë ndodhur në Kosovë. Dështimi i Serbisë që të iniciojë hetime të plota dhe të paanshme në lokacionet e identifikuara në Serbi, ka krijuar një kulturë të mosndëshkueshmërisë, dhe ka pamundësuar ti ofrojë drejtësi të afërmve të të gjithë komuniteteve të zhdukur nga forcat serbe, thuhet në notën verbale dërguar shteteve të BE-së dhe vendeve të tjera mike të Kosovës.
Aty thuhet se qeveritë e Beogradit, si kryesi të shtetit që ka kryer krimet në Kosovë dhe në rajon, janë adresa për zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur.
Prandaj, është e rëndësishme që Beogradi seriozisht të adresojë kërkesat e familjeve të Kosovës për personat e pagjetur, e cila nëse adresohet siç duhet, do të kontribuojë pozitivisht në pajtimin dhe në raportet ndërmjet dy anëve. Komuniteti ndërkombëtar në këtë aspekt mund të luajë një rol të rëndësishëm që të lehtësojë dhe të bëjë presion mbi Qeverinë e Serbisë, që të sigurojë zgjidhjen e shpejtë të çdo rasti individual të personave të pagjetur në Kosovë, thuhet në notë.
Pranimi i krimeve të kryera gjatë luftës është esencial për familjet e viktimave dhe për vendin në tërësi.
Kultura aktuale e mohimit dhe indiferencës morale duke e shtrembëruar, mohuar dhe manipuluar të kaluarën është e papranueshme dhe e dëmshme. Serbia ka përgjegjësi morale që të kërkojë falje për përpjekjet për të kryer gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë. Prandaj, trashëgimitë e luftës duhet të marrin fund, në mënyrë që të hapet një kapitull i ri, thuhet në notën verbale, duke shtuar se sa më parë që fati i tyre të sqarohet dhe zgjidhet, më të mëdha do të jenë gjasat për pajtim ndëretnik dhe ndërshtetëror ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.